Ushqyerje

sht72023

Mungesa e fibrave në shtatzëni shkakton çrregullime neurozhvillimore te fëmijët

Mungesa e fibrave dietike në shtatzëni mund të rrisë rrezikun për zhvillim të vonuar neurologjik te foshnjat, sipas një studimi të botuar në "Frontiers in Nutrition" nga Kunio Miyake nga Shkolla e Mjekësisë në Universitetin e Yamanashit në Japoni.

"Faktorë të ndryshëm mjedisorë, ndër të cilët edhe kequshqyerja gjatë periudhës së shtatzënisë por edhe në foshnjëri, lidhen me një rrezik në rritje të kushteve të tilla si obeziteti, diabeti, alergjitë dhe çrregullimet neurozhvillimore me kalimin e viteve", shkruajnë studiuesit. Të dhënat epidemiologjike kanë konfirmuar ekzistencën e një lidhje midis marrjes së fibrave nga nëna gjatë shtatzënisë dhe zhvillimit neurologjik të pasardhësve të tyre. Prandaj objektivi i këtij studimi ishte të verifikonte nëse marrja e fibrave dietike gjatë shtatzënisë lidhej me vonesa në zhvillimin e fëmijëve në moshën 3 vjeçare.

Për këtë qëllim, u analizuan të dhënat nga 76,207 çifte nënë-fëmijë të regjistruar në Japan Environment and Children's Study, një studim prospektiv mbarëkombëtar në të cilin u vlerësua marrja e fibrave dietike nga nëna nëpërmjet pyetësorit të frekuencës së ushqimit të administruar gjatë periudhës së shtatzënisë dhe u klasifikua në kuintile. Në anën tjetër, vonesat në zhvillim u vlerësuan në pesë fusha të ndryshme nëpërmjet versionit japonez të pyetësorit të Ages and Stages, në moshën 3 vjeçare.

Rezultatet treguan se, fëmijët e lindur nga gratë të cilat gjatë shtatzënisë morën sasi më të pakëta të fibrave dietike kishin një rrezik më të lartë për vonesa në komunikim, për zgjidhjen e problemeve në situata sfiduese gjatë jetës së përditshme, në aftësitë sociale dhe marrëdhëniet ndërpersonale. Rezultatet mbetën të pandryshuara edhe pas një analize që përjashtoi efektet e marrjes së pamjaftueshme të acidit folik gjatë shtatzënisë.

"Ky studim tregon se mungesa e fibrave dietike gjatë shtatzënisë mund të rrisë rrezikun për zhvillim të vonuar neurologjik te pasardhësit", thotë Miyake, duke nënvizuar faktin se shumica e grave shtatzëna në Japoni konsumojnë më pak fibra dietike nga sa  rekomandohet nga udhëzimet. "Prandaj, edukimi ushqimor i grave shtatzëna është i rëndësishëm për reduktimin e rrezikut për probleme shëndetësore te pasardhësit", përfundojnë studiuesit.

 

Frontiers in Nutrition 2023. Doi: 10.3389/fnut.2023.1203669
https://doi.org/10.3389/fnut.2023.1203669


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC