Mirëqenie

qer52024

Obeziteti dhe mbipesha ndryshojnë mikrobiotën kutane. Shëndeti i lëkurës, në rrezik

Përveç implikimeve të njohura për shëndetin kardiovaskular dhe atë metabolik, u demonstrua se obeziteti ndikon ndjeshëm edhe në shëndetin e lëkurës, një aspekt shpesh i lënë pas dore, por thelbësor në mirëqenien e përgjithshme të një individi. Në një studim janë analizuar lidhjet ndërmjet mbipeshës/obezitetit, parametrave fiziologjikë të lëkurës dhe mikrobiotës kutane, duke nxjerrë në pah rezultate surprizuese dhe implikime të rëndësishme për praktikën farmaceutike.

BMI e lartë lidhet me dëmtimin e barrierës kutane
Studimi u përqendrua në një grup të përbërë nga 198 gra kineze, banuese në Shangai, të ndara në grupe në bazë të indeksit të masës trupore (BMI). Rezultatet evidentuan ndryshime të konsiderueshme në parametrat fiziologjikë të lëkurës së fytyrës te individët e dobët dhe te ata mbipeshë/obezë. Grupi mbipeshë shfaqi një dëmtim të funksionit të barrierës kutane, me një shtim të humbjes së ujit transdermik (TEWL), një përmbajtje më të lartë të sebumit dhe një reduktim të hidratimit kutan. Këto ndryshime, jo vetëm që ndikojnë në aspektin estetik, por mund të nxisin edhe një sërë patologjish kutane, përfshirë edhe sëmundjet inflamatore të lëkurës.

Lidhja ndërmjet përbërjes së mikrobiomës kutane dhe BMI-së
Zbulimi më surprizues ishte lidhja ndërmjet përbërjes së mikrobiomës kutane dhe BMI-së. Pjesëmarrëset me BMI të lartë shfaqën një shtim të baktereve si streptokoku dhe Corynebacterium. Këto ndryshime në ekosistemin mikrobik mund të krijojnë një mjedis të favorshëm për përhapjen e patogjeneve dhe për shpërthimin e infeksioneve kutane. Gjithashtu, pjesëmarrëset me BMI të lartë shfaqën edhe shtim të myqeve si Malassezia dhe Candida, të lidhura me patologjitë kutane si dermatiti seborreik dhe psoriaza.

"Këto rezultate tregojnë se BMI lidhet me ndryshimet e vetive biofizike dhe të mikrobiomës së lëkurës së fytyrës. BMI e lartë ndikon në integritetin e barrierës kutane dhe ndryshon diversitetin e florës kutane dhe përbërjen e specieve", pohojnë autorët e studimit.

Zhvillimet novatore në trajtimin e lëkurës
Implikimet e këtyre rezultateve janë domethënëse për praktikën farmaceutike. Njohuritë mbi lidhjen e mbipeshës/obezitetit dhe shëndetit të lëkurës mund të sjellin zhvillimin e strategjive parandaluese dhe terapeutike të synuara. Përpjekjet që synojnë përmirësimin e shëndetit metabolik dhe rivendosjen e ekuilibrit të mikrobiomës kutane, mund të jenë thelbësore në trajtimin e lëkurës, duke u përshtatur me nevojat e individëve me BMI të lartë.


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC