Farmaci

mar302022

Barnat OTC më të shitura gjatë pandemisë. Si ka ndryshuar roli i farmacistit

Nga medikamentet për rrugët e sipërme respiratore, shumë të kërkuara gjatë këtyre dy viteve të pandemisë, tek antialergjikët, analgjezikët dhe mjekimet për sistemin gastrointestinal, duke kaluar te barnat e gjumit apo për të lënë duhanin: në dy vite, këto janë më të shiturat ndër barnat pa detyrim përshkrimi (OTC), të paktën në Shtetet e Bashkuara. Për trendin e tregut amerikan të barnave pa recetë flasin dy ekspertë të industrisë, të intervistuar nga Pharmacy Times, një ndër të cilët është Stefanie Ferreri, profesoreshë e Farmacisë në Universitetin e Karolinës së Veriut, e cila nënvizoi se si kanë ndryshuar disa aspekte të rolit të farmacistit.

 

Produktet më të shitura OTC

Sipas ekspertëve, ndër produktet OTC më të shitura gjatë dy viteve të fundit në SHBA, janë para së gjithash barnat për trajtimin e alergjive, jo vetëm antihistaminikë në formë orale, por edhe intranazale dhe okulare. Krahas tyre janë edhe analgjezikët dhe antimykotikët, ndërsa në këtë periudhë të karakterizuar nga pandemia COVID-19, janë shitur edhe shumë produkte për kollën, temperaturën, ftohjen dhe në përgjithësi, për rrugët e sipërme respiratore. Nuk kanë munguar kërkesat për barna të traktit gastrointestinal, pra, për kapsllëkun, por edhe trajtime për urthin apo dispepsinë. Shumë njerëz kanë kërkuar informacione mbi produktet për të fjetur, për të ndërprerë duhanin dhe produktet e kujdesit për lëkurën. Këto dy vite janë karakterizuar gjithashtu nga një rritje e konsiderueshme e shitjes së pajisjeve që mbahen veshur, për të kontrolluar, për shembull, presionin e gjakut apo nivelet e glukozës, te diabetikët, si dhe interesi për të gjithë fushën e mjekësisë, produkte alternative e natyrale dhe suplemente.

 

Këshilla e farmacistit dhe qasja ndaj pacientit

Përsa i përket farmacistit, është e rëndësishme të kihet parasysh se këto produkte më shpesh rekomandohen nga miqtë, fqinjët dhe faqet e internetit, sesa nga mjekët apo profesionistët e shëndetësisë. Prandaj është e këshillueshme që të mblidhet informacion mbi sigurinë dhe ndërveprimin midis këtyre produkteve dhe me barna të tjera që pacientët mund të marrin në të njëjtën kohë, duke marrë parasysh gjithashtu gamën e gjerë të produkteve të disponueshme. Prandaj, para së gjithash, farmacisti duhet të vlerësojë me kujdes pacientin, grupin e popullatës në të cilën ai bën pjesë, në përgjithësi, nëse është, për shembull, një pacient pediatrik, një i moshuar me sëmundje bashkëshoqëruese apo një grua shtatzënë. Për më tepër, nëse nuk e njihni produktin që pacienti dëshiron të blejë, është gjithashtu e rëndësishme të lexoni me kujdes fletëpalosjen, ndoshta me vetë klientin, sepse farmacisti e di ku ta marrë informacionin dhe mund ta ndihmojë pacientin të kuptojë se kur dhe si duhet ta marrë një medikament të caktuar. Në fund të fundit, shumë barna OTC nuk janë gjë tjetër veçse barna që dikur jepeshin me përshkrim nga mjeku, ndonëse shumë mendojnë se, duke qenë se nuk kanë detyrim për recetë, janë të sigurta. Prandaj, farmacisti duhet ta informojë pacientin se si t'i marrë këto produkte në mënyrë korrekte dhe të paralajmërojë për çdo ndërveprim me barna të tjera ose ngjarje të padëshiruara që lidhen me marrjen nga pacientë të veçantë. Farmacistët, për më tepër, janë të përfshirë drejtpërdrejt pikërisht në dhënien e indikacioneve për produktet pa recetë dhe duhet të dëgjojnë nevojat e pacientëve/klientëve, të cilët duhet të jenë në gjendje të bëjnë pyetjet e duhura, ose të fillojnë vetë një bisedë për çështjet e efikasitetit dhe sigurisë.

 

Sabina Mastrangelo

Burimi:
https://www.pharmacytimes.com/view/experts-discuss-how-over-the-counter-medication-has-changed-since-2020


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC