Ushqyerje

kor112023

Glicemia. Efektet pozitive të Kombucha-s

Kombucha është një pije me origjinë orientale, që përftohet nga fermentimi i çajit të ëmbël dhe disa bimëve të tjera aromatike. Është pak me gaz dhe përmban një përzierje simbiotike bakteresh dhe majash, së bashku me një sërë molekulash si: acide organike, polifenole, etanol, aminoacide, vitamina dhe oligoelemente. Një studim i kryer së fundi nga Departamenti i Shkencave Bujqësore, Ushqimore dhe Agro-mjedisore të Universitetit të Pizës dhe i botuar në "International Journal of Food Microbiology" ka zbuluar se në këtë pije janë të pranishme mbi 58 lloje të ndryshme majash, shumë prej të cilave të dobishme për mikrobiotën intestinale humane. Pikërisht ky interes për efektet e mundshme të kombucha-s në popullatën mikrobike intestinale, si dhe përfitime të tjera (për gliceminë, kolesterolin, presionin e gjakut dhe funksionet e imunitetit, mëlçisë dhe zorrëve) e bëjnë të nevojshme një hetim të mëtejshëm.

Ndikimi pozitiv në mikrobiotën intestinale, frenimin e inflamacionit dhe rezistencën ndaj insulinës

Studimet e kontrolluara të shëndetit të njeriut mungojnë, me përjashtim të një studimi të vogël të pakontrolluar njerëzor që zbuloi një efekt normalizues të marrjes ditore të kombucha-s në vlerat e glukozës në gjak te subjektet me diabet melit jo të varur nga insulina.

Efekti i kombucha-s në kontrollin e glukozës duket se është i dokumentuar mirë nga studimet e kontrolluara te kafshët. Ulja e niveleve të glukozës në gjak, përmirësimi i profileve të lipideve dhe mbështetja e funksionit të pankreasit, veshkave dhe melçisë janë disa nga efektet pozitive të vërejtura pas marrjes së kombucha-s, megjithëse mekanizmat e veprimit të tij janë ende të paqarta.

Studiuesit supozojnë një sërë procesesh me ndikim pozitiv në mikrobiotën intestinale, frenimin e inflamacionit, rezistencës ndaj insulinës dhe reduktimin e dëmtimit të barrierës intestinale, ndoshta për shkak të përbërësit të acidit acetik dhe glukonik të kombucha-s. Një studim i kohëve të fundit me përzgjedhje rastësore i kontrolluar me placebo, i kryer nga një grup studiuesish australianë dhe i botuar në "Frontiers in Nutrition" synonte të përcaktonte përgjigjen e glicemisë dhe insulinës pas ngrënies të një vakti me karbohidrate të larta (oriz) dhe me indeks të lartë glicemik kur konsumohet bashkë me kombucha-n, krahasuar me konsumimin e ujit me gaz ose të një pije freskuese dietike. Në kushtet e studimit, me marrjen e kombucha-s u vu re një reduktim i përgjigjes glicemike dhe insulinemike në 120 minutat në vijim pas ngrënies. Gjithashtu në këtë rast studiuesit nuk ishin në gjendje të përshkruanin mekanizmat e veprimit, por rrafshimi i kurbës së përgjigjes së marrë duket se sugjeron një ngadalësim të tretjes dhe përthithjes së niseshtesë, siç ndodh zakonisht me ushqimet e tjera të fermentuara, duke përfshirë uthullën (e cila, megjithatë, nga vetë, nuk do të shpjegonte efektin, duke pasur parasysh se një nga pijet në studim kishte një pH acid si ai i kombucha-s).

Studime të mëtejshme janë të nevojshëm për të sqaruar mekanizmat e veprimit dhe përfitimin e mundshëm terapeutik të kombucha-s

Natyra e studimit, madhësia e vogël e kampionit dhe mungesa e kontekstit klinik "e bëjnë të vështirë ekstrapolimin e gjetjeve në ndikimin e mundshëm të konsumit afatgjatë të kombucha-s ose te njerëzit me sëmundje specifike", përfundojnë studiuesit. Për më tepër, rezultatet janë të lidhura me llojin e kombucha-s së përdorur (që cili mund të ndryshojë sipas bazave të çajit, baktereve dhe llojeve të majave të përdorura si fillestarë; kushtet e fermentimit karakterizojnë gjithashtu përbërjen përfundimtare). Studime të mëtejshme do të nevojiten për të sqaruar mekanizmat e veprimit dhe përfitimin e mundshëm terapeutik të kësaj pije në metabolizmin e sheqerit në popullata të ndryshme, por hulumtimi ka nxjerrë në pah ndikimin e rëndësishëm që çaji kombucha ka te glicemia dhe insulina te të rriturit e shëndetshëm, pas ngrënies së një vakti me indeks të lartë glicemik me bazë orizi, dhe gjithashtu efektet pozitive që kombucha ka në shëndetin e njeriut.

 

Francesca DeVecchi
Teknologe ushqimore

Burimi:
Front. Nutr., 17 February 2023. Sec. Nutrition and Metabolism. Volume 10 - 2023
https://doi.org/10.3389/fnut.2023.1036717


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC