Shëndetësi

maj302023

Alergjitë e lëkurës. Perimet që parandalojnë shfaqjen dhe reduktojnë ashpërsinë 

Një studim i kryer së fundi tregon se si disa lëndë ushqyese që i përkasin familjes së perimeve të kryqëzuara, si brokoli dhe lakra, mund të reduktojnë dhe parandalojnë alergjitë e lëkurës. Qëllimi i studimit ishte të shpjegonte efektin specifik të substancave të caktuara në ashpërsinë e këtyre alergjive. Rezultatet, të publikuara në revistën Elife, kanë nxjerrë në pah rëndësinë e ndjekjes së një diete të ekuilibruar dhe të kombinuar me terapitë që u ofrohen pacientëve.

Alergjitë e lëkurës dhe ndikimi i ushqyerjes

Zakonisht, alergjitë e lëkurës ndodhin për shkak të një reagimi imunitar joadekuat ndaj disa përbërësve të pranishëm në mjedis dhe ashpërsia e tyre mund të ndryshojë në varësi të disa faktorëve, duke përfshirë edhe dietën. Megjithatë, deri më tani, ndikimi specifik i lëndëve të ndryshme ushqyese ende nuk është kuptuar plotësisht, duke e bërë të vështirë formulimin e strategjive ushqyese efektive për lehtësimin e simptomave. Gjatë studimit, studiuesit u fokusuan te disa lëndë ushqyese që veprojnë në "receptorin e hidrokarbureve aromatike" (AhR), një molekulë e pranishme në trup. Këto lëndë ushqyese janë natyralisht të pranishme te disa perime që i përkasin familjes së perimeve të kryqëzuara si brokoli.

Ushqimet kryesore në studim

Studimet e mëparshme kanë nxjerrë në pah përfitimet që vijnë nga ushqimet në rastet e sëmundjeve inflamatore intestinale dhe neuro-inflamatore, por efekti i tyre në reaksionet imune alergjike nuk ishte dokumentuar ende. Për të hetuar më tej, studiuesit i ushqyen brejtësit me një dietë pa substanca aktivizuese të receptorit AhR në mënyrë që të vlerësonin ashpërsinë e ndikimit në alergjitë e tyre. Rezultatet treguan se mungesa e këtyre lëndëve ushqyese lidhet me rritjen e gjendjes inflamatore të lëkurës dhe me përkeqësimin e alergjisë së lëkurës. Më pas, shkencëtarët donin të kuptonin mekanizmat biologjikë që qëndrojnë në themel të veprimit të këtyre lëndëve ushqyese, duke vërejtur se, në mungesë të tyre, ka një prodhim të tepruar të një molekule të quajtur TGF-beta. Ky mbiprodhim ndërhyn në funksionimin normal të qelizave Langerhans, një popullatë qelizash imune që gjenden ekskluzivisht në lëkurë, të cilat luajnë një rol modulues në përgjigjet imune të lëkurës. Rezultatet u vërtetuan më pas edhe në qelizat e lëkurës njerëzore, duke demonstruar se komponimet që aktivizojnë receptorin AhR kontrollojnë gjithashtu prodhimin e TGF-beta.

Horizonte të reja studimi: rezultatet janë të zbatueshme edhe për patologji të tjera

"Rezultatet e këtij studimi sugjerojnë se një dietë e pabalancuar mund të shtojë reaksionet alergjike të lëkurës te njerëzit përmes mekanizmave që studimi përshkruan saktësisht. Konsumimi i perimeve si brokoli apo lakra mund të kufizojë ashpërsinë e alergjive të lëkurës dhe është e rëndësishme t'i përfshijmë ato në dietën tonë", shpjegon Élodie Segura, studiuese në Inserm (Instituti Kombëtar Francez për Kërkimet e Shëndetit dhe Mjekësisë) dhe autore kryesore e studimit.

Gjetjet e këtij hulumtimi mund të jenë të zbatueshme edhe për sëmundje të tjera të lëkurës në të cilat përfshihen mekanizmat inflamatorë, siç është psoriaza. Për më tepër, ka perspektiva interesante për studime të mëtejshme mbi boshtin "zorrë-lëkurë" në zhvillimin e sëmundjeve alergjike. Në dritën e rezultateve, ekipi hulumtues tani synon të hetojë rolin e përbërjeve ushqimore që aktivizojnë receptorin AhR në kontekste të tjera inflamatore, siç janë patologjitë e tumorale.

 

Cristoforo Zervos

Burimi:
https://elifesciences.org/articles/86413


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC