Shëndetësi

sht122018

Ndërveprimet e barnave mund të shtojnë mendimet vetëvrasëse. Më në rrezik, adoleshentët

Në SHBA, një në pesë fëmijë përdor rregullisht barna me përshkrim mjekësor dhe thuajse 12 nga këta pacientë të vegjël rrezikon të përjetojë dëmtime për shkak të një ndërveprimi mes barnave, me rrezik veçanërisht tek adoleshentët. Ky është kuadri që paraqitet nga një kërkim i gjerë i Universitetit të Ilinoisit në Çikago, i publikuar në "Pediatrics".

"Rezultatet tona jo vetëm që japin informacione të çmuara për faktin se sa të rinj në SHBA përdorin rregullisht barnat e përshkruara, por mbi të gjitha tregojnë se përdorimi i njëkohshëm i më shumë barnave është i zakonshëm dhe paraqet një rrezik potencial", shpjegon Dima Qato, autore kryesore e studimit.

Kërkuesit kanë analizuar respektivisht modelet e përdorimit të barnave te më shumë se 23.000 fëmijë dhe adoleshentë në bazë të të dhënave të mbledhura nga Anketa Ekzaminuese Kombëtare e Shëndetit dhe e Ushqimit në periudhën 2003-2014. Nga këto të dhëna ka dalë se thuajse 20% e fëmijëve kishin përdorur të paktën një bar që merrej me përshkrim nga mjeku, thuajse 14% në mënyrë kronike (për më shumë se 30 ditë) dhe 7% në mënyrë akute (për më pak se 30 ditë). Analiza ka treguar edhe se përdorimi i barnave shtohej me moshën, duke kaluar nga 14% te fëmijët me moshë më të vogël se 5 vjeç, në 22% tek adoleshentët 13-19 vjeç.

Medikamentet më të zakonshme janë ato respiratore, përdoren kryesisht për administrimin e astmës, ndër të cilat bronkodilatatorët dhe modifikuesit e leukotrinave dhe barnat psikotike, ndër të cilat, stimuluesit e Sistemit Nervor Qendror dhe antidepresivë, të lidhur me efekte të kundërta të rralla, por të rënda, siç janë mendimet vetëvrasëse, sindroma serotoninergjike e deri te vdekja e papritur. Kërkuesit nënvizojnë veçanërisht rrezikun e zgjatjes së intervalit QT, të lidhur me përdorimin e antidepresivëve, sa i përket një gjendjeje shpesh asimptomatike që mund të shkaktojë vdekje të papritur, një problem ky i nënvlerësuar te fëmijët.

"Ndonëse ka dobi shëndetësore të lidhura me këto barna, modelet me të cilat përdoren ato, janë shqetësuese, sepse vetëvrasja është një ndër shkaqet kryesore të vdekjes te fëmijët më të mëdhenj dhe ka prova se përdorimi i kombinuar i disa barnave mund të shtojë fillimin dhe rëndimin e mendimeve dhe sjelljeve vetëvrasëse", shton Qato.

Megjithëse ky studim nuk ka vlerësuar përhapjen e ngjarjeve të kundërta negative të lidhura me përdorimin e më shumë barnave që janë subjekt përshkrimi, autorët shpresojnë se rezultatet do të përdoren për të përmirësuar përpjekjet për parandalim dhe për të promovuar ndërgjegjësimin për ndërveprimet e mundshme dhe rreziqet në rritje, që janë të lidhura me këtë model përshkrimi. Ata sugjerojnë gjithashtu që të arrihet përcaktimi i një liste barnash dhe kombinimesh të lidhura me zgjatjen e QT-së dhe rreziqet vetëvrasëse, për t'u përfshirë në udhëzimet dhe mjetet e shqyrtimit për kontrollin e depresionit.

"Por, cilat duhet të jenë njoftimet për mjekët dhe si mund të propozohen ato?", pyet në një editorial shoqërues Stephen Dovvns (Universiteti i Indianas, në Indianapolis). "Dilema është se duke bërë pak paralajmërime, do të ketë raste të dëmtimit të rastësishëm për shkak të ndërveprimit, por nëse paralajmërimet do të jenë të shumta, mjekët do të fillojnë t'i injorojnë ato krejtësisht. Zgjidhja qëndron në përzgjedhjen e paralajmërimeve duke ruajtur ekuilibrin e duhur midis të pavërtetave pozitive dhe negative", thekson redaktori. "Teknologjia e informacionit është një strategji premtuese për të shmangur dëmet nga ndërveprimet potencialisht serioze, por qasja duhet të jetë e kujdesshme dhe të peshojë rreziqet dhe përfitimet reale", përfundon ai.

 

Pediatrics 2018. doi: 10.1542/peds.2018-1042
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30150214


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC