Farmaci

kor312023

Aspirina me dozë të ulët. Studimi në "Jama" analizon efikasitetin dhe rreziqet

Rezultatet e një studimi të botuar në "JAMA Network Open" tregojnë se pacientët e moshuar që marrin aspirinë me dozë të ulët çdo ditë mund të përjetojnë një rritje të konsiderueshme të gjakderdhjes intrakraniale, por jo reduktim të rëndësishëm të rrezikut për iktus ishemik.

"Aspirina me dozë të ulët përdoret zakonisht për parandalimin primar dhe sekondar të iktusit. Megjithatë, ekuilibri midis reduktimit të mundshëm të rasteve të iktusit ishemik dhe rritjes së rrezikut për gjakderdhje intrakraniale te të moshuarit ende nuk është përcaktuar mirë", thotë autori kryesor i studimit Geoffrey Cloud nga Universiteti Monash në Melburn, Australi.

Për të mbushur këtë boshllëk njohurish, studiuesit u përpoqën të kuptonin më mirë rrezikun e zhvillimit të iktusit ishemik dhe gjakderdhjes intrakraniale në mesin e të moshuarve të shëndetshëm të cilët marrin aspirinë me dozë të ulët çdo ditë. Ata kryen një analizë dytësore të studimit Aspirin in Reducing Events in the Elderly (ASPREE), në të cilin pjesëmarrësit ishin kryesisht të moshuar pa sëmundje kardiovaskulare simptomatike, të cilët morën aspirinë me veshje enterike 100 mg në ditë ose një placebo. Nga 19,114 të moshuar, 9,525 prej tyre morën një aspirinë dhe 9,589 të tjerët një placebo. Aspirina nuk prodhoi një reduktim statistikisht të rëndësishëm në incidencën e iktusit ishemik.

Në përfundim të studimit u vu re një rritje statistikisht domethënëse e rrezikut për gjakderdhje intrakraniale   në mesin e individëve të trajtuar me aspirinë, krahasuar me ata të trajtuar me placebo. Kjo ndodhi si pasojë e kombinimit të gjakderdhjes subdurale, ekstradurale dhe subaraknoidale te grupi i aspirinës, krahasuar me grupin e placebos (59 kundrejt 41 individëve). Iktusi hemorragjik u regjistrua te 49 pacientë (0.5%) në grupin e aspirinës kundrejt 37 (0.4%) në grupin placebo. "Këto gjetje mund të kenë rëndësi të veçantë për individët e moshuar të prirur për të zhvilluar gjakderdhje intrakraniale pas nje traume kranike", përfundojnë autorët. 

 

JAMA Network Open 2023. Doi: 10.1001/jamanetworkopen.2023.25803
http://doi.org/10.1001/jamanetworkopen.2023.25803


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC