Farmaci

dhj32021

Tregu farmaceutik drejt monopolizmit. Presidentja e UFSH-së: Farmacitë rrjet, të rrezikshme. Një dorë e vetme përcakton rregullat e sistemit farmaceutik. Ligji të përputhet me direktivat e BE-së

Në vitet e fundit po vihet re një garë në hapjen e farmacive në formë rrjeti, që mbajnë të njëjtën logo dhe që i përkasin të njëjtit subjekt. Këto farmaci shpesh hapen pranë farmacive të tjera dhe si rrjedhojë, nuk shtojnë shërbimin ndaj pacientëve, pasi nuk hapen në zona ku mungon shërbimi farmaceutik. Nuk kanë qenë të pakta rastet e denoncimeve se në zona periferike ku mungojnë farmacitë e mirëfillta, barnat shiten në dyqane që nuk janë farmaci, në shkelje të plotë të ligjit të barnave.

 

- Zonja Toma si presidente e UFSH-së si e shikoni këtë fenomen në tregun farmaceutik shqiptar?

- Sot, në Shqipëri gjejmë farmaci të cilat janë në pronësi të farmacistëve, gjejmë farmaci të cilat janë hapur nga individë të ndryshëm jo farmacistë, ndër të cilët edhe mjekë apo personel tjetër shëndetësor (kjo në konflikt të pastër interesi, por ligji nuk ua ndalon), gjejmë farmaci të cilat si pronar kanë persona që si fillim të aktivitetit të tyre në sektorin farmaceutik, kanë operuar si importues e shpërndarës farmaceutikë e vitet e fundit janë shtrirë dhe në rrjetin e hapur, pra, kanë hapur farmaci e rrjet farmacish. Numri i farmacive në pronësi të këtyre kategorive të ndryshme të individëve sipërmarrës është i ndryshëm. Kjo, për faktin se ligji nuk shpreh asnjë kriter mbi numrin e farmacive që mund të posedojë një individ apo grup individësh. Fenomeni i hapjes me numër të madh të farmacive, në trajtë rrjeti apo zinxhiri, është një fenomen që po vërehet vitet e fundit. Këto farmaci rrjete janë në pronësi, në të shumtën e rasteve, të pronarëve të cilët janë njëkohësisht, edhe importues, edhe shpërndarës, madje së fundmi edhe prodhues në sistemin farmaceutik. Me pak fjalë, jemi vënë para situatës që zinxhiri: prodhim, import, tregti me shumicë, shpërndarje me pakicë në farmaci është përqendruar në të njëjtat duar. Kjo formë e ekzistencës së pronësisë në sistemin farmaceutik, mendoj se është shumë e rrezikshme për këtë sistem, pasi në mënyrë jo të tërthortë, por të drejtpërdrejtë, çon në monopolizim të këtij tregu e për pasojë çon në diktim të rregullave dhe kritereve mbi të cilat duhet të funksionojë sistemi farmaceutik, nga një grup i caktuar njerëzish, me interesa të drejtpërdrejta të përfitimit të tyre. Problemi që ne hasim sot, nga kjo mënyrë monopoliste në rrjetin farmaceutik është thjesht dhe vetëm pasojë e legjislacionit, kryesisht ligjit për barnat dhe shërbimin farmaceutik, ligjit të licencave, por jo vetëm, si dhe nga mos zbatimi i ligjeve të tjera, si pasojë e mosveprimit të institucioneve që kanë kompetencë (I referohemi ligjit dhe Autoritetit të Konkurrencës).
Këto realitete shqiptare mbi pronësinë e farmacisë, nuk mendoj se ruajnë qëllimin që ka në tërësi kujdesi shëndetësor, ku pacienti të jetë në qendër dhe çdo lloj veprimtarie shëndetësore të jetë në funksion të tij.
Në vitin 2009, kur u hoqën kriteret lidhur me hapjen e farmacisë, pra, u liberalizua hapja e farmacive, u pretendua se bëhej për të rritur aksesimin e këtij shërbimi nga ana e qytetarëve. Që në atë kohë, nga profesionistët farmacistë u kundërshtua ky propozim duke u dhënë të tëra argumentet se heqja e kritereve nuk do rriste aksesimin, por thjesht dhe vetëm do shkatërronte cilësinë me të cilën do ofrohej shërbimi farmaceutik për qytetarët. Të tëra vitet e mëpasshme, nga 2009-ta e deri më sot, shërbyen thjesht dhe vetëm për të demonstruar atë çfarë paralajmëruan profesionistët farmacistë, si dhe të shkatërronin atë cilësi shërbimi që qe ndërtuar deri këtë vit; kjo ilustrohet edhe me faktin që ju përmendni se në zona të caktuara nuk gjenden farmaci. Fenomeni që ju përmendni, se shpërndarja e barnave ndodh dhe në njësi tregtare (dyqane), lidhet me faktin se në realitetin shqiptar, bari mund të menaxhohet nga kushdo, pa pasur asnjë ndëshkim. Eksperienca ka treguar se e vetmja kategori që ndëshkohet lidhur me menaxhimin e barit janë farmacistët.

- Ligji aktual nuk vë kritere të tjera për hapjen e një farmacie ose biznesi farmaceutik përveçse disa kritereve bazë siç janë ato të sipërfaqes ose të drejtuesit teknik apo të të pasurit frigorifer e kompjuter. Mendoni se janë të mjaftueshme këto kritere apo duhen shtuar të tjera?

- Për mendimin tim, ligji sot është i zhveshur nga çdo lloj kriteri, pasi nuk mund të quash kriter pse kërkohet drejtues teknik, pasi në farmaci, duhet të punojnë vetëm farmacistë dhe mënyra e organizimit të tyre ka hierarkinë e vet. Gjithashtu, prania e frigoriferit apo kompjuterit nuk përbën kriter. Ato janë mjete të nevojshme për ushtrimin e aktivitetit. Sa i takon kriterit sipërfaqe, dua të saktësoj se ndonëse ai kriter përmendet, realisht nuk ekziston, pasi sipërfaqja prej 35 m2 së cilës i referohemi, ka ekzistuar në rregulloren e shërbimit farmaceutik të vitit 1998, rregullore e cila i ka humbur funksionet, pasi ajo është hartuar në zbatim të ligjit të barnave dhe shërbimit farmaceutik të asaj kohe. Ndryshimet e ligjit të barnave dhe shërbimit farmaceutik në vitet e mëvonshme, duhet të pasoheshin nga hartimi i rregulloreve përkatëse në funksion të tyre, pasi ky akt normativ i vitit 1998 i ka humbur fuqitë e veta, pasi ka dalë në zbatim të një ligji të caktuar, produkt i një viti të caktuar.

- Mendoni se ka ardhur koha të ndërhyhet në këtë ligj, të shtohen kritere siç janë kriteri i distancës, dendësisë së popullsisë, kriteri moral ose penal? Çfarë do të propozonit ju si UFSH, eventualisht?

- Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë që prej miratimit në vitin 2014 të ligjit për barnat dhe shërbimit farmaceutik, nuk ka reshtur së kërkuari hartimin e rregullores së shërbimit farmaceutik, në funksion të ligjit 105/2014, por kjo kërkesë nuk ka gjetur mbështetje. UFSH-ja mendon se për hapjen e farmacive, janë të domosdoshme minimalisht këto kritere:
- Pronar i farmacisë të jetë farmacisti, i cili ka fituar të drejtën për të ushtruar funksionin e drejtuesit teknik. E mendojmë si të domosdoshme ndërthurjen e pronësisë së farmacisë me arritjen e një niveli të caktuar të aftësive profesionale, referuar kjo nivelit të drejtuesit teknik. Vetëm në këtë formë arrijmë të mbrojmë dhe garantojmë cilësinë e shërbimit farmaceutik.
- Vendosje të kufizimit mbi numrin e farmacive që mund të ketë në pronësi pronari farmacist dhe këto farmaci jo në një rreze më të madhe shtrirjeje sesa rajoni ngjitur.
- Pronari i farmacisë, njëherazi drejtues teknik i saj, nuk duhet të ketë në pronësi aktivitete të tjera brenda sektorit farmaceutik si prodhim, import, shpërndarje. Identifikimi i pronësisë të bëhet kundrejt individit si person fizik dhe jo kundrejt NIPT-it si element tregtar.
- Të futet kriteri i distancës të farmacisë nga farmacia, ku matshmëria t'i referohet distancës më të shkurtër me rrugë këmbësore,
- Të futet kriteri i dendësisë së popullatës, pra, me numër banorësh për farmaci,
- Kërkesa ose aprovimi për hapjen e farmacisë të mos paraprihet nga nxjerrja e licencës tregtare pranë QKB-së, por së pari të jetë një komision që shqyrton kërkesën për hapjen e farmacisë, pasi ambienti në të cilin pretendohet të hapet farmacia të jetë inspektuar më parë e të ketë marrë aprovimin se i plotëson të tëra kushtet dhe kriteret për zhvillimin e aktivitetit farmaci. Do e shihnim të udhës që në përbërje të tij, ky komision të kishte përfaqësues të ministrisë së Shëndetësisë, të Urdhrit të Farmacistëve, të AKBPM-së dhe të pushtetit vendor. Mendoj se pranë njësive të pushtetit vendor, që janë bashkitë, duhet të ketë struktura të posaçme të cilat të kenë si objekt kontrolli veprimtaritë farmaceutike të njësisë së tyre.
Sa iu takon kritereve që ju propozoni, moralë apo penalë, mendojmë se prania e Urdhrit të Farmacistëve në këtë komision është garanci për figurën etike, morale, profesionale të farmacistit i cili kërkon të jetë njëherazi edhe pronar i farmacisë.
Urdhri i Farmacistëve ka pasur vërejtjet e veta për ligjin e vitit 2014, prandaj ne nuk jemi të mendimit që ka ardhur koha të ndërhyhet në këtë ligj, por jemi të mendimit se prej vitesh, sektori farmaceutik vuan mungesën e një ligji të plotë e të saktë për këtë sektor. Ky ligj duhet të jetë në përputhshmëri të plotë me direktivat e BE-së. Duam të theksojmë se ligji aktual, megjithëse është hartuar në vitin 2014, nuk ka përputhshmëri me direktivat e BE-së.
UFSH-ja ka propozuar që ligji 105/2014 të vijë në trajtën e dy ligjeve të veçanta ku bari dhe farmacia të trajtohen më vete dhe shërbimi farmaceutik të trajtohet si një ligj më vete.
Kërkojmë të trajtohet në këtë formë, pasi të drejtat mbi kontrollin e prodhimit, importit dhe shpërndarjes i takojnë Ministrisë së Shëndetësisë nëpërmjet institucioneve të saj të varësisë, ndërsa kontrolli i shërbimit farmaceutik duhet të lidhet me Urdhrin e Farmacistëve, si institucioni që ka detyrimin të garantojë cilësinë e kësaj veprimtarie, e për pasojë, ta kontrollojë atë.

 

Alma Demiraj


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC