Mirëqenie

gus32022

Ushqimet shumë të përpunuara lidhen me një rrezik në rritje të zhvillimit të demencës

Njerëzit që ndjekin një dietë të përbërë nga përqindje të larta ushqimesh shumë të përpunuara mund të jenë më të rrezikuar për të zhvilluar demencë, krahasuar me ata që konsumojnë një përqindje minimale të këtyre ushqimeve, sipas një studimi të botuar në Neurology.

"Kërkimi ynë ka zbuluar jo vetëm se ushqimet shumë të përpunuara lidhen me një rrezik të shtuar për demencë, por edhe se zëvendësimi i tyre me opsione të shëndetshme mund të zvogëlojë rrezikun e kësaj sëmundjeje", shpjegon autori kryesor i studimit Huiping Li nga Universiteti Mjekësor Tianjin, Kinë. Studiuesit studiuan të dhënat nga 72,083 njerëz të cilët u ndoqën mesatarisht për 10 vjet. Pjesëmarrësit plotësuan pyetësorët lidhur me çfarë kishin konsumuar një ditë më parë, të cilët shërbyen për të përcaktuar përqindjen e ushqimit shumë të përpunuar në dietën e tyre ditore. Në bazë të këtyre të dhënave ata u ndanë në katër grupe.

Ushqimet shumë të përpunuara përbënin mesatarisht 9% të dietës ditore të njerëzve në grupin me përqindje më të ulët të konsumit, krahasuar me 28% të dietës së njerëzve në grupin e konsumit më të lartë. Grupi kryesor i ushqimit që kontribuoi në një konsum të lartë të ushqimeve shumë të përpunuara ishin pijet, të ndjekura nga produktet me sheqer dhe ato të qumështit. Në fund të studimit, 518 persona u diagnostikuan me demencë. Në grupin me përqindjen më të ulët të konsumit të ushqimeve shumë të përpunuara, 105 nga 18,021 persona e zhvilluan këtë gjendje, krahasuar me 150 nga 18,021 në grupin me konsum më të lartë.

Pas përshtatjes për faktorët ngatërrues, ekspertët zbuluan se për çdo 10% rritje të konsumit ditor të ushqimeve shumë të përpunuara, rreziku i demencës rritej me 25%. Autorët vlerësuan gjithashtu se çfarë do të kishte ndodhur nëse një person zëvendësonte 10% të ushqimeve shumë të përpunuara me ushqime të papërpunuara ose të përpunuara minimalisht, të tilla si fruta të freskëta, perime, bishtajore, qumësht dhe mish dhe vunë në dukje se ky ndryshim do të shoqërohej me një rrezik 19% më të ulët të demencës. Në një editorial të ngjashëm, Maura Walker dhe Nicole Spartano, nga Universiteti i Bostonit, Masaçusets, theksojnë se megjithëse kërkimet mbi ushqimin kanë filluar të fokusohen në përpunimin e ushqimit, është ende e vështirë të klasifikohen saktë ushqimet si të papërpunuara, të përpunuara minimalisht, të përpunuara dhe shumë të përpunuara.

 

Neurology 2022. Doi: 10.1212/WNL.0000000000200871
http://doi.org/10.1212/WNL.0000000000200871

Neurology 2022. Doi: 10.1212/WNL.0000000000201016
https://doi.org/10.1212/WNL.0000000000201016


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC