Farmaci

tet172022

Aspirina mund të jetë efikase në parandalimin primar kardiovaskular. Ja, në cilat raste

Sipas një studimi të botuar në Journal of the American College of Cardiology, aspirina ofron një përfitim specifik për parandalimin primar të sëmundjeve kardiovaskulare tek individët me nivele të larta të lipoproteinës a [Lp (a)].

"Rezultatet tona ofrojnë prova të reja të cilat mbështesin përdorimin e aspirinës tek individët me Lp (a) të lartë për parandalimin primar të ngjarjeve kardiovaskulare", shpjegon autori kryesor i studimit Paul Lacaze nga Universiteti i Monashit në Melburn, Australi.

Studiuesit analizuan të dhënat nga 12,815 pjesëmarrës të studimit ASPREE, të cilët i ishin nënshtruar gjenotipizimit për të krahasuar rezultatet e marra nga marrja e aspirinës kundrejt placebos, te njerëzit me dhe pa gjenotipe me nivele të larta të Lp (a).

Individët me gjenotipe me nivele të larta të Lp (a) treguan reduktimin e ngjarjeve ishemike me marrjen e aspirinës, krahasuar me placebon, pa rritur rrezikun për hemorragji.

Veçanërisht, individët që mbanin alelin rs3798220-C, i cili lidhet me nivelet e larta të Lp (a), ishin pothuajse dyfish të rrezikuar për ngjarje të padëshiruara kardiovaskulare në krahasim me jo-bartësit e këtij gjenotipi në grupin e placebos, rrezik i cili u zbut nga marrja e aspirinës dhe nuk shtoi rrezikun për ngjarje hemorragjike  të rëndësishme klinikisht.

Në të gjithë popullsinë e studimit, me marrjen e aspirinës u ulën ngjarjet e padëshiruara kardiovaskulare me më shumë se 1.7 ngjarje për 1000 vite/njerëz dhe u rritën ngjarjet hemorragjike të rëndësishme klinikisht me 1.7 ngjarje për 1000 vite/njerëz, duke sugjeruar kështu barazinë midis përfitimeve dhe dëmeve.

Sidoqoftë, në nëngrupin rs3798220-C, marrja e aspirinës reduktoi ngjarjet e padëshiruara kardiovaskulare me më shumë se 11.4 ngjarje për 1000 vite/njerëz, me një rrezik gjakderdhjeje prej 3.3 ngjarjesh për 1000 vite/njerëz.

Ekspertët theksojnë se rezultate të ngjashme u vunë re edhe në një tjetër studim të madh parandalues primar mbi aspirinën, Women's Health Study (WHS), në të cilin gratë që mbanin variantin rs3798220-C kishin një rrezik dy herë më të lartë të ngjarjeve kardiovaskulare në krahasim me ato jo-bartëse që ishin pjesë e grupit të placebos, ky rrezik u reduktua me marrjen e aspirinës, pa rritur rrezikun për hemorragji.

Ndërsa në një editorial shoqërues, Ana Devesa, Borja Ibanez dhe Valentin Fuster nga Qendra Kombëtare për Kërkimet Kardiovaskulare në Madrid, mendojnë se studimi përfaqëson një tregues të vlefshëm për përdorimin e aspirinës në parandalimin primar për pacientët me rrezik të lartë kardiovaskular, megjithëse është e nevojshme që kjo çështje të hetohet edhe më tej.

 

JACC 2022. Doi: 10.1016/j.jacc.2022.07.027
http://doi.org/10.1016/j.jacc.2022.07.027

JACC 2022. Doi: 10.1016/j.jacc.2022.08.722
http://doi.org/10.1016/j.jacc.2022.08.722


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC