Farmaci

mar112022

Kurkuma nën vëzhgim për rrezikun që paraqet. Duhet rivlerësuar doza ditore

Instituti Federal Gjerman për Vlerësimin e Riskut (BFR) i është rikthyer vlerësimit të toksicitetit të ekstrakteve të kurkumës si përbërës i suplementeve

 

Instituti Federal Gjerman për Vlerësimin e Rrezikut (BFR) i është rikthyer vlerësimit të toksicitetit të kurkumës (shafranit), e cila përdoret jo vetëm si aditiv (E100), ose si erëz, por është edhe një përbërës shumë i zakonshëm i suplementeve. Një vlerësim i toksicitetit të mundshëm të kurkuminës - kujton BFR-ja - është kryer, vitet e fundit, nga organe të ndryshme shkencore, veçanërisht në kontekstin e procedurave të autorizimit për përdorim si aditiv ushqimor. Që në vitin 2004, JEFCA (Komisioni i Përbashkët i Ekspertëve FAO/OBSH për Aditivët Ushqimorë) kishte sugjeruar NOEL (pa nivel efekti të dukshëm) të barabartë me 0-3 mg/kg peshë trupore në ditë, vlerë pothuajse e konfirmuar edhe nga EFSA, në një opinion të vitit 2010, si një dozë e pranueshme ditore (ADI, sasia e një lënde që mund të konsumohet çdo ditë për gjithë jetën, pa rrezik të dukshëm për shëndetin).

 

Rastet e raportuara në vitin 2019

Megjithatë, në vitin 2019, kurkumina nxiti një stuhi të vërtetë për shkak të disa rasteve të intoksikimit deri në dëmtim të mëlçisë, nisur nga përdorimi i disa suplementeve që kishin në bazë ekstraktet e kurkuminës, të formuluara me shtimin e fitoekstrakteve të tjera dhe në kombinim me piperinën, përbërës natyral që rrjedh nga Piper nigrum (piperi i zi). BFR-ja thekson se duhet hetuar ende për ekstraktet e kurkuminës, si në lidhje me përbërjen, ashtu edhe në lidhje me disponueshmërinë e tyre biologjike. Ekstrakte nga rizomat e bimëve të ndryshme të kurkumës, si Curcuma longa L. dhe Curcuma xanthorrhiza Roxb. përmbajnë 1-5% kurkuminoide, përbërësi kryesor i të cilit është kurkumina. Megjithatë, në suplementet ushqimore, ekstraktet e pasuruara të përdorura mund të kenë përbërje të ndryshme, për shembull në bazë të metodave të ndryshme të prodhimit. Përveç kësaj ndryshueshmërie, duhet theksuar efekti i shtimit të disponueshmërisë së kurkuminoideve, kur përzierjes i shtohen përbërës të tjerë si për shembull (dhe mbi të gjitha) piperina. Në këto raste, është më e vështirë të vlerësohet sasia e kurkuminës së përthithur nga trupi. Pikërisht në këtë fokus u gjurmuan në vitin 2019 rastet e toksicitetit të zbuluara në Itali (të shumta ishin edhe ato të raportuara nga vende të tjera). Siç raportohet në faqen e internetit të ministrisë italiane të Shëndetësisë, në rastet e hepatitit kolestatik që u shfaqën pas marrjes së suplementeve ushqimore që përmbajnë ekstrakte dhe preparate të Curcuma longa, u konstatua se rastet ishin pasojë e kushteve të veçanta të ndjeshmërisë individuale, si edhe e marrjes së njëkohshme të barnave me titra të ndryshëm të kurkuminës, shpesh të shoqëruara me përbërës të tjerë që shtojnë përthithjen e saj.

 

Alarm specifik për subjektet me probleme të mëlçisë dhe tashmë, në terapi farmakologjike

Nga ky vlerësim u vendos që suplementet me bazë kurkumine duhet të kenë njoftim specifik se nuk rekomandohen për përdorim në subjekte me funksion të dëmtuar hepato-biliar dhe në rastin e marrjes së njëkohshme të barnave, duke i ftuar ata të vlerësojnë së bashku marrjen e tyre me mjekun kurues. BFR-ja në dokumentin e saj arriti në përfundimin se studimet mbi toksicitetin e preparateve me bazë kurkumine me biodisponueshmëri të rritur, veçanërisht në lidhje me piperinën, duhet të thellohen, në saje të vëzhgimeve të toksicitetit në mëlçi që janë vërejtur vitet e fundit; se nevojitet legjislacion më i rreptë për mbrojtjen e shëndetit dhe se prodhuesit janë gjithashtu përgjegjës që të merren me sigurinë e produktit, duke kryer kontrollet e duhura të përbërjes.

 

Francesca De Vecchi
Teknologe ushqimore

Burimi:
https://www.bfr.bund.de/cm/349/curcumin-in-food-supplements-acceptable-daily-intake-may-be-exceeded.pdf


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC