Farmaci

shk152019

Miratohet rregullorja "për publicitetin e barnave". Ja, cilat janë përcaktimet kryesore

Me urdhër të ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, është miratuar këto ditë rregullorja "Për publicitetin e Barnave", përgjegjëse për zbatimin e së cilës, do të jetë Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.

Urdhri Nr.25, datë 17.1.2019, i publikuar në fletoren zyrtare të datës 12/02/2019 saktëson mbi të gjitha se publiciteti është i lejueshëm vetëm për barnat që janë pjesë e listës së barnave pa recetë (barnat OTC). Publiciteti drejtuar popullatës është i ndaluar për barnat që shpërndahen kundrejt recetës së mjekut dhe për të gjitha barnat narkotike dhe psikotrope, sipas ligjeve në fuqi në Republikën e Shqipërisë.
Publiciteti i barnave përfshin çdo mënyrë informimi të publikut, lidhur me barin, pavarësisht llojit të medias me anë të së cilës do të zhvillohet, me qëllim promovimin e përshkrimit, shpërndarjes, shitjes dhe përdorimit të tij.

Në rregulloren e miratuar saktësohen rregullat në lidhje me publicitetin drejtuar popullatës, i cili nuk përfshin etiketimin e barnave, përmbledhjen e karakteristikave të produktit dhe fletë udhëzuesin.
Publiciteti i barnave OTC, që mund t'i drejtohet popullatës, duhet të përmbajë të paktën një nga informacionet më poshtë:
a) Emrin tregtar të barit dhe emrin EPN të lëndës aktive, kur bari përmban vetëm një lëndë aktive;
b) Informacionin e nevojshëm lidhur me mënyrën e duhur të përdorimit të barit,
c) Informimin e pacientëve lidhur me leximin e kujdesshëm të fletë udhëzuesit ose të udhëzimeve në paketimin e jashtëm ose në paketimin parësor të barit

Rregullorja e miratuar përcakton gjithashtu edhe mënyrën e publicitetit të barnave përmes internetit. Përmbajtja e faqes së internetit duhet të ndahet, sipas kategorive të përdoruesve, në një seksion të destinuar për popullatën dhe në një seksion për profesionistët e kujdesit shëndetësor. Faqet e destinuara për profesionistët e kujdesit shëndetësor duhet të mbrohen nga një emër përdoruesi dhe fjalëkalim.

Edhe publiciteti i barnave drejtuar popullatës, në rregullore ka kufizimet e veta. Kështu, nuk duhet të pretendohet se bari nuk ka efekte të padëshiruara, nuk është toksik dhe nuk ka rrezik të shfaqë varësi, apo të mbulojë ose reduktojë rëndësinë dhe frekuencën e efekteve të padëshiruara; të jepet përshtypja se bari garanton sukses në trajtimin e sëmundjes; të sugjerohet se një bar është pa dyshim më i mirë se një tjetër; të pretendohet se bari mund të administrohet edhe në rastet kur nuk ka asnjë shenjë të sëmundjes, etj. Në publicitetin drejtuar popullatës, nuk është e lejuar të përdoret emri i ndonjë farmacie ose vendndodhja e ndonjë shitësi me pakicë në të cilin shitja e barnave është e lejuar, sipas ligjeve në fuqi.

Mbajtësi i autorizimit të tregtimit ose përfaqësuesi i mbajtësit të autorizimit të tregtimit në Republikën e Shqipërisë dhe Agjencia Publicitare, janë përgjegjës për kryerjen e publicitetit të barit në përputhje me ligjin, si dhe aktet ligjore dhe nënligjore të dala në zbatim të tij.

Këto janë disa nga përcaktimet e bëra në rregulloren e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes Sociale. Për të lexuar fletoren e plotë zyrtare, mund të klikoni këtu.


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC