Farmaci

pri122024

FDA: Antibiotikët e rinj në terapinë kundër Staphylococcus aureus

Administrata e Ushqimit dhe Barnave ka miratuar antibiotikun ceftobiprole medocaril (Zevtera) për trajtimin e pacientëve të rritur me infeksion bakterial në gjak (bakteremi) për shkak të Staphylococcus aureus (SAB), të atyre me infeksione bakteriale akute të lëkurës dhe të strukturës së lëkurës (ABSSSI), si edhe për trajtimin e pacientëve të rritur dhe atyre pediatrikë në moshat nga 3 muajsh në 18 vjeç, të prekur nga pneumonia bakteriale e fituar në komunitet (CABP). "Ky bar do të konsiderohet si një trajtim i ri për një sërë infeksionesh bakteriale të rënda", pohon drejtori i Departamentit të Antibiotikëve në FDA, Peter Kim.

Vendimi i FDA bazohet në të dhënat e grumbulluara nga tre studime të ndryshme të përparuara. Secili prej tyre ka demonstruar se trajtimi i ka përmbushur objektivat kryesore, duke treguar përmirësim të simptomave për secilën nga sëmundjet e trajtuara. Miratimi i këtij antibiotiku të ri nga FDA, jo vetëm që u jep operatorëve shëndetësorë një armaturë të re kundër infeksioneve bakteriale rezistente, por thekson edhe rëndësinë e studimeve dhe zhvillimeve të vazhdueshme në fushën e antibiotikëve për përballimin e sfidave që vijnë nga rezistenca antimikrobike. Duke marrë parasysh zhvillimin e ngjashëm të CABP te të rriturit dhe te pacientët pediatrikë, miratimi i Zevtera për t'u përdorur nga pacientët e moshave nga 3 muajsh në 18 vjeç, të prekur nga CABP, u mbështet nga evidencat e rezultuara nga studimi CABP mbi Zevtera te të rriturit dhe nga një studim i kryer mbi 138 pacientë pediatrikë të moshave nga 3 muajsh në 18 vjeç, të prekur nga pneumonia.

Efektet anësore të konstatuara më shpesh në secilën sëmundje ishin:
- Te të rriturit e prekur nga SAB: anemia, të përzierat, nivelet e ulëta të kaliumit në gjak (hipokalemia), të vjellat, diarreja, nivelet e larta të disa testeve hepatike (enzima hepatike dhe bilirubina), kreatinina e lartë në gjak, presioni i lartë i gjakut, numri i ulët i qelizave të bardha (leukopenia), temperatura, dhimbjet abdominale, infeksioni mykotik, dhimbjet e kokës dhe vështirësitë në frymëmarrje (dispnea);

- Te të rriturit e prekur nga ABSSSI: të përzierat, diarreja, dhimbjet e kokës, reaksioni në vendin e injektimit, enzimat  e larta hepatike, skuqjet e lëkurës, të vjellat dhe ndryshimi i shijes (disgeuzi);

- Te të rriturit e prekur nga CABP: të përzierat, enzimat e larta hepatike, të vjellat, diarreja, dhimbjet e kokës, skuqjet e lëkurës, pagjumësia, dhimbjet abdominale, inflamacioni i venave (flebiti), tensioni i lartë dhe marramendjet. Te pacientët pediatrikë të prekur nga CABP, efektet anësore më të shpeshta nga Zevtera ishin: të vjellat, dhimbjet e kokës, enzimat e larta hepatike, diarreja, reaksioni në vendin e infuzionit, inflamacioni i venave (flebiti), temperatura.


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC