Ushqyerje

gus22021

Menopauza. Menaxhimi i simptomave dhe ndryshimeve hormonale përmes zakoneve të të ngrënit

Hyrja në menopauzë është një hap delikat në jetën e gruas. Ajo shënon fundin e periudhës pjellore që arrihet me hapa gradualë, gjatë një periudhe kohore që mund të zgjasë disa vjet dhe nxitet nga rënia e funksionalitetit të vezoreve dhe rënia progresive e prodhimit të estrogjenit. Ndryshimi i statusit hormonal shoqërohet me një sërë simptomash, pak a shumë të theksuara, me pasoja në gjendjen psiko-fizike.
Ndryshimet në peshën trupore, dhimbjet në kocka e nyje dhe në sistemin muskulor; çrregullimet e sistemit uro-gjenital, problemet vazomotore (shkaku i të ashtuquajturave afshe të nxehta); ankthi, ndryshimet e humorit dhe shqetësimet e gjumit janë simptoma tipike që mund të ndryshojnë në intensitet nga subjekti në subjekt. Ndonëse është vënë re se efektet varen edhe nga kushtet kulturore, nga personaliteti dhe konteksti socio-ekonomik i jetës, në përgjithësi, theksohet rëndësia  që ka stili i të ushqyerit për të ndihmuar në mbështetjen dhe tolerimin e çrregullimeve të caktuara nga njëra anë, por edhe për të parandaluar ato ndaj të cilave është ekspozuar fiziku i femrës, për shkak të variacioneve hormonale. Një përmbledhje e kohëve të fundit kishte për qëllim të hidhte dritë mbi lidhjen që ekziston mes dietës ushqimore dhe simptomave të menopauzës te gratë pas menopauzës, me një kërkim sistematik midis studimeve të publikuara në dekadën 2009-2019, i cili krahasoi modelet dietike dhe intensitetin e simptomatologjisë.

 

Më pak simptoma në regjimet dietike me perime, drithëra dhe ushqime të papërpunuara

Duket se konsumi më i madh i perimeve, drithërave të plota dhe ushqimeve të papërpunuara shoqërohet me një intensitet më të ulët të disa prej simptomave tipike, siç janë simptomat psikologjike, gjumi, ato vazomotore, urogjenitale dhe somatike. Nga ana tjetër, intensiteti duket se është i lidhur me një dietë të pasur me ushqime shumë të përpunuara, yndyra të ngopura dhe sheqerna. Sa iu përket nutrientëve, ose ushqimeve specifike, studimet kanë treguar një lidhje midis ashpërsisë së simptomave dhe marrjes së kafeinës dhe yndyrës. Në përfundime, ekspertët nënvizojnë nevojën për të thelluar kërkimet dhe vështirësinë për të studiuar më shumë efektet e një stili dietik, krahasuar me ushqimin ose lëndën ushqyese të vetme, ku ndërveprimi midis përbërësve të ndryshëm paraqet ndryshore të shumta. Sidoqoftë, përfundimet nuk bien ndesh me pretendimet e dhëna më së shpeshti për ushqimin, për të përballuar këtë periudhë.

 

Luftimi i efekteve që kanë ndryshimet hormonale

Për të kundërshtuar efektet e ndryshimeve hormonale, sugjerohet ruajtja e një diete të pasur dhe të ekuilibruar, ku nuk mungojnë veçanërisht ato lëndë ushqyese që pengojnë shfaqjen e sëmundjeve ndaj të cilave gratë janë më të ekspozuara në menopauzë, pikërisht për shkak të rënies së estrogjeneve; këto hormone janë në fakt një faktor mbrojtës kundër patologjive që prekin sistemin kardiovaskular dhe kockat. Pra, kini kujdes që të mos mungojnë ushqimet e pasura me karbohidrate komplekse dhe fibra nga burime të tëra në dietën tuaj dhe kushtojini vëmendje marrjes së sheqernave të thjeshta dhe yndyrave të ngopura. Është mirë të promovoni marrjen e duhur të proteinave, duke konsumuar edhe burime bimore të lidhura me karbohidratet komplekse. Pastaj, fruta dhe perime për të siguruar sasinë e duhur të kalciumit, për shëndetin e kockave; ky mineral ka shumë qumësht dhe derivate (kini kujdes të mos e teproni me konsumimin e djathërave, burim i yndyrave të ngopura), por edhe në bishtajore, perime me gjethe jeshile, fruta me vaj dhe peshk blu. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, vitamina D, e cila është e nevojshme për metabolizmin e saktë të kalciumit: ajo gjendet në disa ushqime (peshk vajor, vezë), por mekanizmi kryesor i prodhimit të saj është në lëkurë, falë ekspozimit ndaj dritës së diellit. Prandaj është gjithashtu e rëndësishme të ruhet një mënyrë jetese aktive, jo sedentare, me ushtrime fizike të përshtatshme ditore për të kundërshtuar, së bashku me dietën, efektet metabolike të variacioneve hormonale tipike të kësaj periudhe të jetës së grave.

 

Francesca De Vecchi
Tekonologe ushqimore


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC