Shëndetësi

nën302020

Kontraceptivët hormonalë pakësojnë rrezikun e astmës së rëndë

Te gratë në moshë fertile, përdorimi i kontraceptivëve hormonalë mund të ulë rrezikun e përkeqësimit të rëndë të astmës. Por efekti mbrojtës, siç tregon një studim i botuar në "Thorax", është i vogël dhe vërehet vetëm te kontraceptivët e kombinuar (estrogjen+progesteron) dhe jo nëse është vetëm me bazë progesteroni. "Ekziston një marrëdhënie interesante midis gjinisë dhe astmës", tha autori kryesor Bright Nwaru, nga Universiteti i Gothenburit në Suedi, i cili shpjegoi se gjatë 40 viteve të fundit janë botuar shumë studime për të kuptuar pse incidenca e astmës është më e madhe te djemtë sesa te vajzat. "Por, kjo ndryshon nga koha e pubertetit dhe astma bëhet më e zakonshme te gratë sesa te burrat", vazhdoi ai.

Luhatjet menstruale në hormonet seksuale femërore, të cilat besohet se shpjegojnë pjesërisht ndryshimet në incidencën dhe ashpërsinë e astmës midis gjinive, janë lidhur me përkeqësimin e simptomave dhe është vlerësuar gjithashtu ndikimi i hormoneve sintetike. Studiuesit përdorën një bazë të dhënash të kujdesit primar në Mbretërinë e Bashkuar, për të ndërtuar një grup retrospektiv (2000-2016) të grave të moshës 16-45 vjeç (8.3084) me astmë. Në fillim të studimit, 25% prej tyre po përdornin kontraceptivë të kombinuar dhe 9% po përdornin kontraceptivë me bazë progesteroni. Përqindja e grave me sulme të rënda të astmës u rrit me rritjen e moshës, indeksit të masës trupore (BMI) dhe një numri më të madh të shtatzënive të mëparshme, si dhe ishte më e lartë te duhanpirëset (ato që e kishin pirë më parë dhe ato që po e pinin aktualisht) dhe në prani të problemeve të caktuara gjinekologjike.

Pasi morën parasysh këta faktorë, përdorimi i mëparshëm dhe aktual i çdo kontracepsioni hormonal ose të kombinuar, krahasuar me mospërdorimin, u shoqërua me një rrezik më të ulët për sulme të rënda të astmës, megjithëse ato ishin të pakta. Përdorimi për 3-4 vjet dhe 5 vjet ose më shumë, por jo 1-2 vjet, është lidhur me rrezik më të ulët, pavarësisht nga BMI-ja ose statusi i duhanpirjes. Nga ana tjetër, nuk është vërejtur një efekt mbrojtës me kontraceptivët me bazë progesteroni. Studiuesit, të cilët nuk mund të përjashtojnë ndikimin e faktorëve të tjerë në rezultat, besojnë se është e nevojshme të studiohet se si mund të ndikojnë në astmë hormonet seksuale sintetike.

"Unë nuk mendoj se ky rezultat do të përfundojë me këshilla ose udhëzime klinike, por sinjali që marrim nga studimi, na jep besim për të vazhduar me hartimin e studimeve të reja në mënyrë që të përpiqemi të kuptojmë mekanizmat me të cilët kontraceptivët hormonalë mund të ndikojnë në astmë", komentoi Nwaru.

 

Thorax 2020. Doi: 10.1136/thoraxjnl-2020-215540
https://doi.org/10.1136/thoraxjnl-2020-215540


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC