Shëndetësi

maj152019

Kanceri i gjirit in situ. Tamoxifeni shfaq efikasitetin edhe me doza të ulëta

Administrimi për 3 vjet i tamoxifenit me doza të ulëta (5 miligramë në ditë) është në gjendje të reduktojë me 50% riskun e recidivës dhe me 75%, riskun e një tumori të ri kundërlateral, me efekte të padëshiruara shumë të vogla te pacientet me tumor gjiri in situ.

Kjo është konfirmuar në "Journal of Clinical Oncology" nga një grup kërkuesish italianë të udhëhequr nga Andrea de Censi, drejtor i Onkologjisë Mjekësore në spitalet Galliera në Gjenovë dhe konsulent shkencor në Institutin Evropian të Onkologjisë (IEO) në Milano. "Efekti mbrojtës i tamoxifenit në doza të larta (20 mg në ditë për pesë vjet) është vënë re prej kohësh, por toksiciteti i papërfillshëm, deri më sot e ka kufizuar përdorimin e gjerë. Demonstrimi shkencor i të njëjtit efikasitet edhe me doza të ulëta, me efekte anësore të reduktuara, hap kështu një epokë të re", shpjegojnë kërkuesit.

Në studimin "Tam-01", ku janë përfshirë 14 struktura italiane, janë regjistruar 500 gra me kancer mamar jo invaziv, që i janë nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale dhe radioterapisë në rast nevoje. Pacientet janë përzgjedhur në mënyrë rastësore për të marrë doza të ulëta të tamoxifenit ose placebo për 3 vjet dhe janë ndjekur për një periudhë rreth 5-vjeçare. Kështu, pacientet e trajtuara me tamoxifen me doza të ulëta kanë treguar një zvogëlim me 52% të eventeve të rikthimit të sëmundjes ose të një tumori të ri, në krahasim me ato që trajtohen me placebo. Efektet e padëshiruara të rënda kanë qenë më të shumta te gratë në grupin placebo (16) sesa tek ato në grupin me tamoxifen me doza të ulëta (12).

"Ndërmjet 2 grupeve nuk ka pasur dallime statistikisht të rëndësishme për shembull në lidhje me simptomat e menopauzës, veçanërisht afshet, tharjen vaginale dhe dhimbjet e gjymtyrëve; çrregullime shumë të shpeshta me dozën 20 mg tamoxifene, ose me barna të tjera anti-hormonale që i kanë larguar deri më sot pacientet nga terapia parandaluese. Më në fund, tashmë mund të mbrojmë gratë në shërimin e tumorit duke respektuar cilësinë e jetës së tyre", konfirmon De Censi. "Duke u bazuar në rezultatet tona, besojmë se doza të ulëta të tamoxifenit mund të paraqesin një mundësi parandalimi te gratë e shëndetshme në risk të lartë për zhvillimin e një tumori në gji, siç janë gratë me mutacione BRCA", përfundon Bernardo Bonanni, drejtor i Divizionit të Parandalimit dhe Gjenetikës Onkologjike në IEO, autor kryesor i studimit.


J Clin Oncol. 2019. doi: 10.1200/JCO.18.01779
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30973790


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC