Farmaci

maj172019

Benzodiazepinat në fazën e hershme të shtatzënisë, shtojnë rrezikun për abort

Sipas një studimi të publikuar në "Jama Psychiatry", gratë që fillojnë trajtimin për ankthin me benzodiazepina gjatë fazës së hershme të shtatzënisë, kanë një rritje të konsiderueshme të rrezikut për abort, në krahasim me ato që nuk i marrin këto barna. "Në thelb, përdorimi i benzodiazepinave shoqërohet me rritje të rasteve të abortit spontan, pavarësisht kohëzgjatjes së veprimit të barit dhe duket se ka një efekt dozë-përgjigje", shpjegon Anick Bérard (Universiteti i Montrealit në Kanada), i cili ka drejtuar grupin e punës.

Studiuesit kanë zbuluar më shumë se 27,000 raste abortesh spontane gjatë një periudhe 17-vjeçare në studimin Quebec Pregnancy Cohort, duke përjashtuar gratë që kishin marrë më parë benzodiazepina dhe ato që i janë nënshtruar abortit të detyruar ose të planifikuar. Secila nga pacientet është përshtatur me një numër maksimal prej pesë grash të zgjedhura rastësisht në grupin e kontrollit dhe që nuk kishin pësuar aborte spontane. Kështu, analiza e të dhënave tregoi se përdorimi i benzodiazepinave gjatë shtatëzanisë është shoqëruar me një rritje prej 85% në rrezikun për të pësuar një abort spontan të zbuluar klinikisht ndërmjet javës së gjashtë dhe të nëntëmbëdhjetë të shtatzënisë. Edhe pse kohëzgjatja e veprimit të barit nuk duket se ndikon te rreziku, u vërejt një shtim i rrezikut me rritjen e dozës ekuivalente, kështu që gratë që merrnin doza më të larta, shfaqën një rrezik 2.5 herë më të lartë për abort spontan.

Disa benzodiazepina, të tilla si diazepami, temazepami, bromazepami, alprazolami dhe klonazepami duket se janë më të lidhura me abortet spontane sesa barnat e tjera të së njëjtës klasë. Bérardi ka deklaruar se në praktikë, shtimi i rrezikut nuk ka rezultuar shumë i lartë në shkallën absolute të abortit spontan (nga rreth 6%, në rreth 10%). Eksperti nënvizon gjithashtu se këto gjetje nuk duhen absolutizuar, pasi mund të ketë ndonjë gabim të lidhur me faktin se numri i pacienteve të ekspozuara ndaj disa barnave, ka qenë i vogël. Sipas ekspertëve, megjithatë, mjekët duhet të vlerësojnë me kujdes rreziqet dhe përfitimet kur përshkruajnë këto barna në fillim të një shtatzënie, meqë ekzistojnë trajtime alternative.


JAMA Psychiatry 2019. doi: 10.1001/jamapsychiatry.2019.0963
https://dx.doi.org/10.1001/jamapsychiatry.2019.0963


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC