Farmaci

gus72018

Rivaroxaban-i konfirmon sigurinë edhe në praktikë

Analiza më e madhe në praktikë, mbi përdorimin e rivaroxaban-it (Xarelto, Bayer), një prej antikoagulantëve të rinj oralë (NOAC), te pacientët me fibrilacion atrial, ka treguar norma të ulëta hemorragjie, iktusi dhe ndërprerjeje trajtimi, me rezultate shumë të ngjashme, në zona të ndryshme të botës.

"Efikasiteti i antikoagulantëve oralë të drejtpërdrejtë për parandalimin e iktusit te pacientët me fibrilacion atrial, është vendosur nga studime të ndryshme klinike. Megjithatë, ndihet nevoja e studimeve vëzhguese të realizuara si duhet, në lidhje me sigurinë dhe efikasitetin e këtyre barnave në botën reale", thotë Paulus Kirchhof (Universiteti i Birmingamit), autori kryesor i studimit. Kërkuesit kanë marrë përsipër të vlerësojnë profilin e sigurisë së rivaroxaban-it, nëpërmjet një analize të përgjithshme të pacientëve me fibrilacion atrial, që kanë marrë pjesë në programin XANTUS (Xarelto për Parandalimin e Iktusit te Pacientët me Fibrilacion Atrial) në të gjithë botën, me përjashtim të SHBA-së, duke i ndjekur për një vit pacientët që kanë nisur rivaroxaban-in për parandalimin e iktusit.

Në tërësi, janë rekrutuar 11.121 pacientë (mosha mesatare 70,5 vjeç, 42,9% e të cilëve ishin gra). Komorbiliteti përfshinte pamjaftueshmërinë kardiake (21,2%), hipertensionin (76,2%) dhe diabetin (22,3%).

Norma e shfaqjes së ngjarjeve të kundërta (për 100 vite/pacient), kanë qenë këto: gjakderdhje e rëndë 1,7 (0,7 në Amerikën Latine e 2,3 në Europën perëndimore, Kanada e Izrael), vdekje për të gjitha shkaqet 1,9 (nga 1,5 në Europën lindore, në 2,7 në Amerikën Latine, Lindje e Mesme dhe Afrikë), e iktus apo emboli sistemike 1,0 (nga 0 në Amerikën Latine, në 1,8 në Azinë orientale). Vazhdimi i trajtimit për një vit është ndjekur nga 77,4%.
Jeff Healey (Universiteti McMaster, Kanada), konfirmon se kuptimi i ndryshimeve rajonale në përdorimin e barit dhe në rezultatet klinike të lidhura me të, janë një aspekt unik dhe i vlefshëm i kësaj analize, i cili do t'i ndihmojë mjekët lokalë ta kuptojnë më mirë dhe të aplikojnë terapinë NOAC në zonën e tyre.

"Ky dokument i rëndësishëm tregon se përdorimi i rivaroxaban-it, është në përputhje thuajse të plotë me udhëzimet e publikuara", përfundon ai.

 

J Am Coll Cardiol. 2018. doi: 10.1016/j.jacc.2018.04.058
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29976287

J Am Coll Cardiol. 2018. doi: 10.1016/j.jacc.2018.04.057
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29976288


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC