Shëndetësi

mar252022

Me cigaret elektronike rritet rreziku i prediabetit për shkak të efekteve të nikotinës

Përdorimi i cigareve elektronike shoqërohet me një rritje prej 20% të gjasave për të pasur prediabet. Për më tepër, ish-përdoruesit e cigareve elektronike kanë shanse më të ulëta, por ende ekzistuese për prediabet.

Kjo është gjetja e një hulumtimi nga Shkolla e Shëndetit Publik Johns Hopkins Bloomberg në Baltimore, botuar në American Journal of Preventive Medicine. Studiuesit analizuan të dhënat e periudhës 2016-2018 nga Sistemi i Mbikëqyrjes së Faktorëve të Rrezikut të Sjelljes, sondazhi më i madh kombëtar vjetor shëndetësor i të rriturve në SHBA, me të dhëna mbi rezultatet shëndetësore, sjelljet e rrezikut të lidhura me shëndetin, shërbimet parandaluese dhe gjendjet mjekësore kronike. Nga 600,046 të anketuar, 9%, më shumë se 66,000, ishin përdorues të cigareve elektronike që raportuan prediabet të vetëdiagnostikuar. Të dhënat treguan gjithashtu se përdoruesit e cigareve elektronike kanë një prevalencë më të lartë të faktorëve të stilit të jetesës me rrezik të lartë dhe gjendje më të keqe të shëndetit mendor dhe fizik sesa jo duhanpirësit. "Ne u befasuam me rezultatet sepse cigaret elektronike reklamohen si një alternativë më e sigurt. Tani e dimë që nuk është kështu", thotë Shyam Biswal, profesor i Shkencave të Shëndetit Mjedisor në Johns Hopkins dhe autori kryesor i hulumtimit. "Në rastin e pirjes së duhanit, nikotina ka një efekt të dëmshëm në veprimin e insulinës dhe duket se edhe cigaret elektronike mund të kenë të njëjtin efekt".

Në këtë drejtim, duhet patur parasysh se, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), duhanpirësit e cigareve tradicionale kanë 30% deri në 40% më shumë gjasa sesa joduhanpirësit për të zhvilluar diabetin e tipit 2, me shtim të rrezikut për sëmundje kardiovaskulare të tilla si çrregullimet aterosklerotike dhe iktusi. Në çdo rast, theksojnë Biswali dhe kolegët, "mekanizmat që qëndrojnë në themel të marrëdhënies shkakore mes përdorimit të cigareve elektronike dhe paradiabetit, nuk janë kuptuar plotësisht. Në një studim të popullatës, u demonstrua se nikotina shkakton rritje të përqendrimeve të glukozës në gjak dhe kotinina, një shënjues biologjik i ekspozimit ndaj nikotinës, u shoqërua me një rritje të HbA1c-së në një popullatë jo diabetike, në National Health and Nutrition Examination Survey. Për më tepër, nikotina, një nga elementet kryesore bioaktive të cigareve, ka treguar se dëmton traktin gastrointestinal dhe sistemin nervor, shkakton obezitet, inflamacion dhe ndërprerje të homeostazës së glukozës, duke luajtur kështu një rol jetik në patofiziologjinë e prediabetit".

Prediabeti është i kthyeshëm me menaxhimin e stilit të jetesës. Bazuar në këto gjetje, autorët formulojnë një rekomandim që synon të reduktojë përdorimin e cigareve elektronike dhe të edukojë të rinjtë, si një strategji për reduktimin e rrezikut të diabetit të tipit 2.

 

Arturo Zenorini

Am J Prev Med 2022 Mar 2. doi: 10.1016/j.amepre.2021.12.009. [Epub ahead of print]

https://www.ajpmonline.org/article/S0749-3797(22)00024-1/fulltext


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC