Shëndetësi

jan152021

Covid-19. Mikrobioma intestinale e çrregulluar, rrit rrezikun për zhvillimin e formave të rënda

Sipas një shqyrtimi të literaturës, botuar në "mBio", shëndeti i keq intestinal mund të ndikojë negativisht në prognozën e Covid-19. "Mosfunksionimi dhe përshkueshmëria intestinale e lidhur me një mikrobiomë të çrregulluar, mund të përkeqësojnë ashpërsinë e infeksionit, duke e lejuar virusin të hyjë në sipërfaqen e sistemit të tretjes dhe në organet e brendshme, të ndjeshme ndaj infeksioneve sepse kanë një përhapje të madhe të receptorëve ACE2", thotë Heenam Stanley Kim (Universiteti i Koresë, në Seul), autor i shqyrtimit.

Është marrë si e mirëqenë tashmë se njerëzit me moshë të përparuar dhe sëmundje kronike, janë më të rrezikuar për të zhvilluar forma të rënda të Covid-19 dhe eksperti thekson se të dy këta faktorë kanë një lidhje të njohur me mikrobiomën e çrregulluar të zorrëve, që mund të ndikojë në integritetin e barrierës intestinale. Studiuesi kujton se, deri më tani, lidhja midis shëndetit intestinal dhe prognozës së sëmundjes nuk është provuar në mënyrë empirike, por sugjeron që shëndeti i zorrëve të një personi në kohën e infektimit mund të jetë kritik për zhvillimin e simptomave.
"Shumë studime të kohëve të fundit kanë zbuluar një diversitet të pakësuar bakterial në mostrat intestinale të mbledhura nga pacientët Covid-19, krahasuar me mostrat nga njerëz të shëndetshëm", vazhdon Kimi. Sëmundja është lidhur gjithashtu me një shterim të specieve të dobishme bakteriale dhe pasurimin e atyre patogjene; një çekuilibër i ngjashëm është lidhur me infeksionin e gripit A, megjithëse të dyja viruset ndryshojnë në mënyrën se si e modifikojnë përbërjen e përgjithshme mikrobike. Speciet bakteriale të varfëruara, të lidhura me infeksionin nga Covid-19 përfshijnë disa familje përgjegjëse për prodhimin e butiratit, një acid yndyror me zinxhir të shkurtër, që luan rol jetësor në shëndetin e zorrëve, duke forcuar funksionin e barrierës së tyre.

Autori sugjeron që kryerja e testeve për përshkueshmërinë e zorrëve dhe verifikimi i ngarkesave virale në feçe dhe në plazmë, mund të jetë i dobishëm për diagnostikimin e pacientëve që do të zhvillojnë një formë të rëndë të Covid-19, ose për të parandaluar transmetimin nga përhapja fekale e virusit. "Transplanti i mikrobiotës fekale, probiotikët e gjeneratës së re, të përqendruar në mikrobet intestinale që prodhojnë butirate, ose thjesht shtimi i marrjes ditore të fibrave dietike mund të merren në konsideratë për të përmirësuar shëndetin intestinal të pacientëve me Covid-19", përfundon eksperti.


mBio 2021. Doi: 10.1128/mBio.03022-20
http://doi.org/10.1128/mBio.03022-20


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC