Shëndetësi

shk282020

Sëmundjet inflamatore apo autoimune. Dieta e duhur ngadalëson shfaqjen

Reduktimi i metioninës mund të ngadalësojë shfaqjen e sëmundjeve të tilla si skleroza e shumëfishtë në subjektet e rrezikuara, sipas një studimi të publikuar në "Cell Metabolism".

"Rezultatet tona sugjerojnë se, te njerëzit e predispozuar për çrregullime inflamatore dhe autoimune, siç është skleroza e shumëfishtë, reduktimi i marrjes së metioninës mund të çaktivizojë pjesërisht qelizat imunitare që shkaktojnë sëmundjen, duke përmirësuar prognozën", konfirmon Catherine Larochelle, bashkautore dhe neurologe në qendrën spitalore të Universitetit të Montrealit në Kanada.
"Për shkak të mungesës së trajtimeve që ngadalësojnë apo ndalojnë sklerozën e shumëfishtë, pa shtuar rrezikun e infeksionit apo të kancerit, këto rezultate ofrojnë bazat për një ndërhyrje dietike  të synuar", shkruajnë autorët, që kanë zbuluar se metionina dietike ndihmon në riprogramimin e qelizave T, të cilat, të stimuluara nga një antigjen, përgjigjen duke u replikuar shpejt dhe duke u ndarë në nënlloje të specializuara. "Disa nga këto qeliza T të riprogramuara shkaktojnë inflamacionin, që është pjesë normale e përgjigjes imunitare, por mund të shkaktojë dëme nëse vazhdon shumë gjatë, siç është rasti i sklerozës së shumëfishtë", shton autorja, që së bashku me kolegët, ka vënë re një reduktim të marrjes ushqimore të metioninës te modelet murine me sklerozë të shumëfishtë, ndryshon riprogramimin e qelizave T, duke u kufizuar aftësinë për të shkaktuar inflamacion në nivel encefalik dhe në palcën kurrizore.
Rezultati? Një vonesë, si në shfaqjen, ashtu edhe në përparimin e sëmundjes. "Me fjalë të tjera, duke kufizuar metioninën ushqimore, kufizohet përgjigjja inflamatore, pa komprometuar pjesën tjetër të sistemit imunitar", shpjegon Larochelle, duke kujtuar se këto rezultate duhet të konfirmohen para se të zhvillohen udhëzime të mundshme.

"Hapi tjetër është të studiohet nëse ekziston mundësia e projektimit të barnave të reja që synojnë metabolizmin e metioninës", përfundojnë kërkuesit, duke saktësuar se të dhënat e tyre nuk janë të parat që tregojnë reduktimin ushqimor të aminoacidit si një trajtim të mundshëm. "Po ashtu, një studim i laboratorit Locasale në Universitetin Duke, në vitin 2019, tregon se reduktimi i marrjes së metioninës mund të përmirësojë efektet e kemioterapisë dhe të rrezatimeve në luftën kundër kancerit", nënvizon autorja.

 

Cell Metabolism 2020. Doi: 10.1016/j.cmet.2020.01.006
https://doi.org/10.1016/j.cmet.2020.01.006


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC