Farmaci

nën32020

Covid-19. Një antitrup monoklonal ndez shpresat për menaxhimin e infeksionit

Te pacientët ambulatorikë me infeksion nga coronavirusi i ri, administrimi i LY-CoV555, një antitrup monoklonal i nxjerrë nga gjaku i pacientëve të shëruar nga Covid-19, çoi në reduktimin e simptomave dhe rikthimin në spital ose në terapinë e urgjencës, krahasuar me njerëzit që nuk e kanë marrë trajtimin, sipas një studimi të ri të botuar në "New England Journal of Medicine". "Për mua, zbulimi më domethënës ishte reduktimi i shtrimeve në spital", tha Peter Chen, nga Qendra Mjekësore Cedars-Sinai, Los Anxhelos, autori kryesor i studimit. "Antitrupat monoklonalë si ky mund të zbutin ashpërsinë e Covid-19 për shumë pacientë, duke u dhënë mundësi më shumë njerëzve që të shërohen në shtëpi", vazhdon ai.

Studiuesit u dhanë afërsisht 450 pacientëve të rastësishëm doza intravenoze prej 700, 2,800, ose 7,000 miligramësh antitrupa ose placebo. Ngarkesa virale e individëve u testua me tamponin nazofaringeal përpara administrimit të antitrupave dhe më pas, në kohë të ndryshme, pas administrimit të barnave. Pjesëmarrësve në studim iu dha gjithashtu një pyetësor për simptomat dhe trajtimin. Nga tre nivelet e dozimit, ai prej 2,800 miligramësh është shfaqur efektiv në zvogëlimin e ngarkesës virale. Autorët shpjegojnë se LY-CoV555 vepron duke u lidhur me proteinën kunj, që i nevojitet Sars-CoV-2-shit për të hyrë në qelizat njerëzore. Kjo gjë nuk e lejon virusin të replikohet, duke ngadalësuar procesin viral dhe duke i dhënë mundësi sistemit imunitar të pacientit që të aktivizohet.

"Ajo që ne po bëjmë është të parandalojmë që virusi të shkaktojë shumë dëme në fillim të procesit dhe kështu po përpiqemi t'u japim pacientëve më shumë kohë, në mënyrë që trupi i tyre të fillojë të zhvillojë imunitetin e tij për të luftuar virusin", shpjegon Cheni. Në ditën e 29-të, shkalla e shtrimit ishte 1.6% në grupin e antitrupave, krahasuar me 6.3% në grupin e placebos. Ekspertët theksojnë se rënia e shtrimeve në spital u vu re në të gjitha grupet demografike, duke përfshirë kategoritë me rrezik të lartë, domethënë, të rriturit mbi 65 vjeç dhe ata me BMI të lartë (mbi 35).

Më hollësisht, sa u përket pacientëve me rrezik të lartë, norma e shtrimit në spital ishte 4.2% tek individët e trajtuar me antitrupa, krahasuar me 14.6% tek ata të trajtuar me placebo. Për më tepër, profili i sigurisë së pacientëve të trajtuar me LY-CoV555 ishte i ngjashëm me atë të pacientëve të trajtuar me placebo. Ditën e 11-të, sidoqoftë, ngarkesa virale u zvogëlua ndjeshëm për shumicën e pacientëve, përfshirë ata në krahun e placebos. Sipas studiuesve, do të nevojiten studime të mëtejshme për të vërtetuar këto rezultate që janë shumë premtuese. "Ne e dimë që Covid-19 është veçanërisht i ashpër ndaj të moshuarve, obezëve dhe njerëzve me gjendje të caktuara para-ekzistuese shëndetësore. Trajtimet me antitrupa si ky mund të ofrojnë përfitime më të mëdha për njerëzit në këto kategori me rrezik të lartë", përfundon Cheni.


NEJM 2020. Doi: 10.1056/NEJMoa2029849
http://doi.org/10.1056/NEJMoa2029849


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC