Shëndetësi

mar262020

Coronavirusi, sot. Bilanc apokaliptik në Evropë dhe Amerikë

Urgjenca e coronavirusit ka shpërthyer tashmë kudo, me kulme në Spanjë dhe Shtetet e Bashkuara, ku rastet e infektimit dhe vdekjet shumohen me shpejtësi eksponenciale. Në gadishullin Iberik, infektimet në 24 orë u rritën me gati 9 mijë (nga 47,610 në 56,188) dhe viktimat shkuan nga 3,434, në 4,089. Mbi një mijë vdekje në SHBA, ku kryetari Bill de Blasio parashikon: gjysma e Nju Jorkut do të infektohet.

 

Shtetet e Bashkuara

Sipas parashikimit të zymtë të qytetarit të parë të Big Apple, pritet një skenar makthi. De Blasio ka frikë se do të infektohen rreth 4 milionë njerëz, gjysma e atyre që jetojnë në Nju Jork. "Është e besueshme, shpjegon ai, dhe është shumë shqetësuese, por duhet të fillojmë ta themi të vërtetën". Këshilltari i Shëndetësisë Oxiris Barbot beson se epidemia mund të fillojë të ngadalësohet në shtator.
Deri më tani, në Shtetet e Bashkuara ka më shumë se një mijë viktima, me 69.200 raste të konfirmuara. Deri në 280 vdekje në shtetin e Nju Jorkut, më i prekuri nga epidemia, ndërsa në Majami, në përpjekjen për të ndalur infektimet, ka nisur shtetrrethimi që hyn në fuqi nga ora 22 deri në 5 të mëngjesit. Ky shtetrrethim mund të shkelet vetëm për punë, për urgjenca mjekësore dhe për të nxjerrë qenin brenda njëqind metrave larg shtëpisë.

 

Spanjë

Në Spanjë pati 655 vdekje të reja, duke arritur në total 4,089. Numri i infeksioneve po rritet me një ritëm mbresëlënës, sipas raportit të fundit të ministrisë së Shëndetësisë. Personat e pranuar në kujdesin intensiv janë pothuajse 3,700 dhe 7 mijë ata që janë rikuperuar. Numri ditor i vdekjeve ka rënë për herë të parë këtë javë, me 83 më pak vdekje sesa të mërkurën. Ministri i Shëndetësisë Salvador Illa tha se Spanja mund të jetë duke u afruar në "kulmin e kurbës" dhe kjo do të nënkuptonte një fazë stabilizimi të pandemisë. Pas një rritjeje mesatare ditore prej 40% ndërmjet 28 shkurtit dhe 16 marsit, një rritje mesatare prej 20% u llogarit nga 16, deri më 24 mars.

 

Francë

Në Francë flitet për 40 mijë të rinj të infektuar gjatë javës së fundit, megjithëse ekzistojnë vetëm 25 mijë pozitivë që nga fillimi i epidemisë. 40,000 raste janë diagnostikuar nga mjekët e përgjithshëm, sipas vlerësimeve franceze të shëndetësisë. Në vend, ka nisur plani për të evakuuar të sëmurët nga Alsace me anë të një treni me shpejtësi të lartë, i cili i transporton ata nga Strasburgu, për të lehtësuar spitalet e zonës, që tashmë janë në kolaps.

 

Gjermani

Gjermania po përballet me epideminë duke kryer deri në 500,000 teste në javë, siç tha virologu Christian Drosten në një konferencë shtypi në Berlin, për të shpjeguar ndryshimin e madh midis të dhënave dhe shkallës së vdekshmërisë në Gjermani dhe atyre nga vendet e tjera, si Italia dhe Spanja. "Pse kaq pak viktima në Gjermani? Sepse ne kemi bërë një punë diagnostike laboratorike jashtëzakonisht të fortë dhe kapilare. Puna e shkëlqyer e laboratorëve të analizave në Gjermani ishte forca e sistemit gjerman kundër infeksionit, sepse ai ka mund të identifikonte, izolonte dhe përmbante rastet". Por, ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn thotë: "Numri i viktimave po rritet në Germani. Jemi në qetësinë para stuhisë. Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë". Ndërkohë, Gjermania po merr dhjetë pacientë të tjerë italianë.


 
Britania e Madhe

Pritet një cunam shtrimesh dhe parashikohet një shpërthim i rasteve të rënda në ditët në vijim. Këtë e ka thënë për BBC-në, Chris Hopson, numri një i NHS Providers, një shoqatë që përfaqëson menaxherët e sistemit shëndetësor britanik. "Ka një rritje eksponenciale të kërkesës për pacientë seriozë, tha Hopsi, dhe parashikimet janë për më shumë". Ndërkohë, Uestminster ka mbyllur dyert dhe deputetët po karantinohen në shtëpitë e tyre.
 
I gjithë bilanci i Covid-19 në botë është apokaliptik: në Evropë ka 250 mijë infektime, ndërsa në të gjithë botën, gjysmë milioni njerëz.

 

Burimi: MEDIASET


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC