Shëndetësi

tet32018

Antibiotikë për apendicitin? Falë imazherisë dhe kurave të përmirësuara, kjo është e mundur

Antibiotikët mund të përfaqësojnë një alternativë ndaj kirurgjisë për pacientët me apendicit akut të pakomplikuar, sipas rezultateve të një studimi ndjekës 5-vjeçar të publikuar në "JAMA".

"Megjithëse apendektomia është shtylla kryesore e trajtimit të apendicitit akut prej më shumë se 100 vjetësh, përparimet e fundit në imazherinë diagnostike dhe në terapitë antibiotike, u kanë dhënë mundësi mjekëve të marrin në konsideratë trajtimin me antibiotikë, si një strategji alternative praktike dhe e vlefshme në disa raste", shpjegon Paulina Salminen (Universiteti i Turkut, në Finlandë), autore kryesore e studimit.

Hulumtimi, i kryer në gjashtë spitale në Finlandë, ka përfshirë 530 të rritur (329 burra, 201 gra) me apendicit akut të pakomplikuar. Nga këta, 273, me një moshë mesatare 35 vjeçare, iu nënshtruan apendektomisë dhe 257, me një moshë mesatare 33 vjeçare, morën fillimisht trajtim me antibiotikë. Në pesë vitet e ndjekjes, dy pacientë vdiqën në grupin e trajtuar me apendektomi dhe një në grupin e antibiotikëve, por asnjëra prej vdekjeve nuk është konsideruar e lidhur me studimin.

Nga 257 pacientët e trajtuar fillimisht me antibiotikë, 100 iu nënshtruan apendektomisë gjatë ndjekjes dhe 70 prej tyre (27.3%) kanë vuajtur nga apendiciti i rikthyer, brenda një viti nga episodi i parë, ndërsa 30 (16.1%) pacientë kanë patur nevojë për një apendektomi 1-5 vjet nga episodi i parë. Incidenca kumulative e apendicitit të rikthyer mes pacientëve të trajtuar fillimisht me antibiotikë ishte 34% në dy vjet, 35.2% në tre vjet, 37.1% në katër vjet dhe 39.1% në pesë vjet.

"Pothuajse dy të tretat e të gjithë pacientëve të cilët fillimisht kishin apendicit të pakomplikuar, u trajtuan me sukses vetëm me antibiotikë dhe ata që përfundimisht kanë zhvilluar recidiva, nuk kanë patur ndonjë rezultat të kundërt, të lidhur me vonesën e apendektomisë", përfundojnë autorët.

Në një editorial shoqërues, Edward Livingston, zëvendës redaktor i "JAMA"-s, vë në dukje se një nga gjetjet më të rëndësishme të këtij studimi është se pacientët në grupin me antibiotikë nuk kishin ndërlikime të mëdha për shkak të operacionit të vonuar.

"Duke pasur parasysh se qasja në kirurgji nuk është gjithnjë e disponueshme, këto rezultate mund të kenë implikime në shumë mjedise dhe vende të ndryshme", përfundon redaktori.

 

JAMA 2018. doi: 10.1001/jama.2018.13201
https://jamanetwork.com/journals/jama/article-abstract/2703354

JAMA 2018. doi: 10.1001/jama.2018.13368
https://jamanetwork.com/journals/jama/article-abstract/2703304


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC