Shëndetësi

pri262016

Intervistë me Leonard Deda, anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Sigurisë së Barnave 

tags: BARNA

Zoti Deda sapo keni përfunduar listën e re të barnave që jepen pa recetë. Përse  u rifutët edhe njëherë në këtë listë. Sa i domosdoshëm ishte azhornimi i kësaj liste?

Jam një nga personat që kam punuar por është një grup pune edhe me 5 persona të tjerë, të cilët i përfaqësoj. Lista zyrtare në  fuqi është e vjetër, është gati 10-vjecare, është e 2007-s. Kanë kaluar shumë kohë dhe janë futur në treg shumë produkte të reja ku një pjesë e të cilave, që në momentin e regjistrimit kanë qenë të përshkruara si bar pa recetë ose molekula të caktuara dhe produkte që i përmbajnë ato, fale sigurisë mund që të jenë shndërruar nga bar me recete në bar pa recetë. Kjo ndodh rëndom në të  gjitha vendet.
Në princip lista e barnave pa recetë shërben për të mos vënë në vështirësi ligjore  farmacistin kur një pacient me probleme të lehta shëndetësore kërkon të vetëmjekohet sepse në të kundërt nëse bari është me recetë dhe farmacisti me gjithë dëshirën e mire e jep, atëherë është në shkelje të ligjit.
Nga ana tjetër, kjo listë është shumë e nevojshme sepse nuk mund të fillosh luftën ndaj shitjes pa recetë të barnave pa pasur listën e barnave me recetë. Doli nevoja dhe me të drejtë zoti ministër e perceptoi dhe ngriti  grupin e punës. Kemi bërë një përpjekje dhe tanimë kemi dhe një draft. Drafti është përfundimtar nga ana jonë,  sigurisht priten edhe ndryshime të vogla të cilin pritet ta publikojmë së shpejti. Do të jetë aksesibël nga të gjithë individët.
Presim çdo sugjerim, kritikë   vërejtje në mënyrë  që  para se të jemi në versionin definitv, pra para se ta firmosë  ministri, të jemi gjithëpërfshirës. Nga ana tjetër mendohet që grupi i punës të mos shkrihet, por të mbetet, që në mënyrë periodike të regjistrojë barnat e reja që hyjnë  në  Shqipëri, që të mos kemi këtë gapin e krijuar prej 10 vjetësh.

A është publikuar diku që ju të prisni opninionin e specialistëve të fushës ?

Këtë nuk di ta them, por nëse nuk është publikuar duhet të jetë thjesht problem teknik. Ka qenë insistim i zotit ministër që të publikohet dhe të mbetet e hapur për disa javë për këdo që do të shprehet për listën.

Lista e barnave pa recetë me çfarë frekuence do të azhornohet?

Kam idenë një herë në tre muaj ose një herë në gjashtë muaj do të ishte mjaftueshëm. Nuk është ndonjë proces i vështirë. Shtimi bëhet për analogji.

Nëse nuk  azhornohet me frekuencën e regjistrimit të barnave të reja, a ka rrezik  konkurrence jo të drejtë siç është situata me listën e vjetër?

Pyetja është e bukur. Më keni gjetur të papërgatitur sepse nuk e kam parë në planin se si një listë barnash pa recetë mund të ndikojë te konkurrenca. Nëse është e vërtetë nuk ka arsye të dyshoj. Po qe se rifreskimi është një nder shkaqet atëherë duhet ta bëjmë çdo muaj. Shteti duhet të jetë rregullator,   ministria nuk duhet të ndërhyjë në konkurrencë.

A ka në këtë listë barna që janë njëkohësisht edhe në listën e barnave të rimbursueshme?

Po ka. Si rregull kur një bar merr statusin "pa përshkrim" , del nga lista e barnave që duhet të jepen me recete. Megjithatë kjo ndryshon nga njëri vend te tjetri. P.sh. nëse trajtojmë fëmijët 0-1 vjeç me barna që kanë për bazë paracetamolin, atëherë çfarë do t'i rimbursojmë fëmijës 0-1 vjeç nëse nuk i rimburson paracetamolin?

A i shikoni dy herë më të favorizuara këto barna që janë edhe në listë në krahasim me barnat e të njëjtës kategori?

Jo. Nuk i shoh kështu sepse kjo është mënyra për të pasur akses te produkti.

Lista e barnave pa recetë i hap rrugë vetëmjekimit. Tendenca në vendin tonë është shumë e lartë. Me këtë listë do të vendoset ndonjë rregull?

Tregu i barnave nuk është i lirë. Si rregull një farmacist nuk duhet të japë barna pa përshkrim nëse ato nuk I përkasin kësaj liste. Kjo listë i vë limite edhe pacientit duke i thënë që kjo është fushë e sigurt.

Por ndodh që antibiotikët jepen pa recetë...

Ka raste që jepen barna edhe pa recetë, kur në fakt duhet të ishin me rekomandim nga mjeku. Në këtë drejtim ministria po merr masa. Nga 3800 barna të regjistruara, ministria të thotë që këto 650 barna i ke pa recetë. Farmacistët nuk duhet ta japin barin pa recetë. Në listën e barnave pa recetë ne jemi treguar shumë strikt sepse aty nuk gjen antibiotikë apo antibakterialë qoftë edhe për përdorim lokal pa recetë. Nuk po bëjmë shumë mirë. Jemi shumë restriktiv, por prapë po bëjmë shumë mirë pasi nga keqpërdorimi i antibiotikëve është krijuar një rezistencë e atyre përmasave që ne kemi humbur luftën me bakteret. Janë infeskione që mund të jenë fatale sepse ti nuk ke më mjete për ta luftuar. Keqpërdorimi është shkaku numër një për krijimin e rezistencës.

Fletën udhëzuese në shqip, e kanë të gjitha barnat?

Është thelbësore, sepse duhet të informojë për çdo gjë pacientin.

E kanë të gjitha barnat që tregtohen?

Ligji e kërkon që çdo bar ta ketë. Një bar që kërkon të regjistrohet në Shqipëri duhet të ketë edhe fletëudhëzuesin në shqip. Ne do të kërkojmë me forcë që për këto barna të ketë patjetër fletëudhëzues në shqip sepse nuk përbën më sens. Draft-lista e barnave pa recetë ka rreth 650 produkte mjekësore po shumë më pak lëndë vepruese. Kështu 100 produkte mjekësore ose 1/6 e barnave pa recetë janë produkte me bazë paracetamoli. Pra është shumë i vogël numri i lëndëve vepruese ose i substancave aktive që kanë karakteristika të atilla që ti je i sigurt për sigurinë e tyre, kanë mjaftueshëm efikasitet dhe janë të dobishëm.


 

Përgatiti: Alma Demiraj


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC