Shëndetësi

dhj162015

Urdhri i Farmacistëve humb gjyqin e tretë brenda dy muajve

Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u zhvillua sot seanca e parë dhe e fundit e Urdhrit të Farmacistëve me drejtuesit teknikë, ku i pari ishte paditësi, ndërsa të dytët të akuzuarit. Gjykatësi Gerti Hoxha, vendosi pushimin e çështjes pasi duke marrë për bazë vendimin e Gjykatës së Apelit (që në fillim të nëntorit i dha të drejtë drejtuesve teknikë) si dhe dokumentacionin e paraqitur nga Urdhri i Farmacistëve në këtë proces, vlerësoi se akuzat e këtij të fundit ishin të pambështetura në prova.

Padia e ngritur nga UFSH, ishte në fakt e njëjtë me atë të ngritur kundër Farmacist33 (ndaj të cilit e humbi gjyqin): në të thuhej se drejtuesit teknikë kishin konsumuar veprën penale të shpifjes dhe fyerjes. Dy ishin bazat e padisë:  1) peticioni me titull "Letër e hapur e farmacistëve pensionistë", që drejtuesit teknikë i dërguan  presidentëve të Këshillave Rajonalë të UFSH, ku kërkonin shfuqizimin e nenit 19 të Statutit, si dhe transparencën e Urdhrit me fondet. 2) botimi i letrës së hapur në revistën Farmacist33, duke i dhënë cilësimin e "Veprës së kryer botërisht". Pra për Urdhrin drejtuesit teknikë i kishin dhënë jehonë shpifjeve të tyre nëpërmjet një portali online.

Nga ana tjetër, drejtuesit teknikë, Andrea Matua, Afrim Tabaku, Dragush Kurti, Përparim Hoxha, Sadik Berisha, i hodhën poshtë akuzat duke shprehur se nuk kishin pasur asgjë personale dhe fyese dhe se pretendimet e tyre ishin vlerësuar si të drejta edhe nga Gjykata Administrative e Apelit. "Ne nuk kemi bërë gjë tjetër përveç se kemi zbatuar ligjin. Nuk kemi pasur asgjë personale apo fyese. Më të dëmtuar se ne nuk ka. Ndonëse fituam gjyqin e parë, na hoqën licencat dhe jemi vetëm me pension. Ne jemi për mbylljen e çështjes", shprehën qëndrimin e tyre unanim drejtuesit teknikë.

Pas fjalës së tyre dhe duke konsideruar pamjaftueshmërinë e provave, gjykata vendosi mbylljen e çështjes, duke ia ngarkuar palës paditëse të gjitha shpenzimet e gjyqësore.

Pyetja që me të drejtë mund t'i lindë secilit farmacist i cili paguan rregullisht kuotizacionet pranë entit përfaqësues është:  Si i motivon dhe ku i përfshin këto shpenzime gjyqësore në buxhetin e tij Urdhri, pasi  rezulton që buxheti i aprovuar për vitin 2015 është parashikuar të shpenzohet në shumicën e tij në rroga dhe honorare?

Përgatiti: Dorina Gjuzi


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC