Farmaci

maj272022

Vitamina D, omega-3 dhe ushtrimet fizike. Kombinimi që redukton rrezikun e kancerit te të moshuarit

Një studim i ri i botuar në Frontiers in Aging ka zbuluar se kombinimi i vitaminës D me omega-3 dhe një program të thjeshtë ushtrimesh në shtëpi (SHEP) mund të reduktojë me 61% rrezikun e kancerit te të rriturit e shëndetshëm mbi 70 vjeç.

 

Studim trevjeçar në pesë vende evropiane

Studimet mekanike kanë treguar se vitamina D pengon rritjen e qelizave kancerogjene. Po kështu, omega-3 mund të pengojë transformimin e qelizave normale në qeliza kancerogjene dhe ushtrimet  fizike përmirësojnë funksionin imunitar dhe reduktojnë inflamacionin, gjë që mund të ndihmojë në parandalimin e kancerit. Megjithatë, mungojnë studime klinike të qëndrueshme që të vërtetojnë efektivitetin e këtyre tre ndërhyrjeve të thjeshta. Bischoff-Ferrari dhe kolegët e tij janë përpjekur të plotësojnë këto boshllëqe njohurish duke testuar efektin e dozave të larta ditore të vitaminës D3, omega-3 dhe një programi të thjeshtë ushtrimesh në shtëpi, vetëm dhe të kombinuara, në rrezikun e kancerit invaziv, duke përfshirë të rriturit e moshës 70 vjeç e lart. Për këtë motiv, studiuesit kryen studimin DO-HEALTH: një studim trevjeçar i cili u krye në pesë vende evropiane (Zvicër, Francë, Gjermani, Austri dhe Portugali) dhe u përfshinë 2157 pjesëmarrës.

 

Krahasimi i dozave dhe përfitimeve të rrezikut kumulativ

Pjesëmarrësit u ndanë me përzgjedhje rastësore në 8 grupe të ndryshme për të testuar përfitimin individual dhe të kombinuar të ndërhyrjeve: pjesëmarrësit e grupit 1 morën 2000 IU vitaminë D3 dhe 1 g omega-3 në ditë, të kombinuar me ushtrime fizike (SHEP) tre herë në javë; ata të grupit 2 morën vitaminë D3 dhe omega-3; të grupit 3 vitaminë D3 dhe SHEP; të grupit 4 omega-3 dhe SHEP; të grupit 5 vetëm vitaminë D3; të grupit 6 vetëm omega 3; të grupit 7 vetëm SHEP; dhe pjesëmarrësit e grupit të fundit morën placebo. Për kontrollin e tyre, u telefonuan çdo tre muaj dhe iu nënshtruan ekzaminimeve të standardizuara shëndetësore dhe funksionale në qendrat e eksperimentimit në fillim, në vitin e parë, të dytë dhe të tretë. Rezultatet treguan se të tria trajtimet (vitamina D3, omega-3 dhe SHEP) kishin përfitime në rrezikun kumulativ të kancerit invaziv.
Secili nga trajtimet kishte nga një përfitim të vogël individual, por me kombinimin e të treve, përfitimet u bënë statistikisht të rëndësishme dhe studiuesit vunë re një reduktim të përgjithshëm prej 61% të rrezikut të kancerit. "Edhe pse rezultatet tona bazohen në krahasime të shumta dhe kërkojnë përsëritje, mund të rezultojnë të dobishme në reduktimin e barrës së kancerit. Studimet e ardhshme duhet të hetojnë përfitimet e trajtimeve të kombinuara në parandalimin e kancerit, duke u shtrirë në ndjekje më të gjata përtej kohëzgjatjes trevjeçare të vlerësuar në këtë studim", përfundoi Bischoff-Ferrari.


Paolo Levantino
Farmacist klinik

Burimi:
https://www.frontiersin.org/articles/10.3389/fragi.2022.852643/full


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC