Shëndetësi

qer162015

Statuti i UFSH-së, ndryshimet e bëra antiligjore. Ministri i Shëndetësisë: Do të kërkojmë rishikimin e vendimeve

Farmacistët shprehen te revoltuar lidhur me ndryshimet e bëra në statutin e Urdhrit, ku një ndër pikat që  lidhet me të  drejtën e ushtrimit të profesionit të drejtuesit teknik diskriminon ata të cilët kanë  mbushur moshën e pensionit dhe që nuk janë të vetëpunësuar, ndërsa ata që kanë biznesin e tyre lejohet ta ushtrojnë këtë profesion. Kjo pikë e nenit 19 në ndryshimet e bëra në statut prek një numër të  konsiderueshëm farmacistësh dhe hyn në  fuqi më 1 korrik 2015, çka i detyron ata të lenë vendin e punës.
Fatos Kadesha, një farmacist në Tiranë thotë së kjo është e padrejtë."Këshilli Kombëtar i Urdhrit nuk mund të marrë të tilla vendime, të cilat i heqin të drejtën personave që kanë mbushur moshën për të ushtruar profesionin e drejtuesit teknik. Në asnjë vend të zhvilluar si Itali, Gjermani e të tjera nuk ka kufizime të tilla", shprehet Kadesha.
Në të njëjtën linjë shprehen edhe farmacistë të tjerë. "Ky është një diskriminim që u bëhet farmacistëve që kanë mbushur moshën e pensionit. Disa lejohen dhe disa të tjerë jo. Kjo nuk është aspak e drejtë", shprehet Andrea Mato, anëtar i Këshillit Rajonal të Urdhrit të Tiranës.
Janë të shumtë farmacistët që ankohen në lidhje me ndryshimet e bëra në statut. Ata thonë se Këshilli Kombëtar i Urdhrit as nuk është konsultuar me ta dhe se i ka njoftuar vetëm nëpërmjet faqes zyrtare të Urdhrit. Ndërkohë, nëpërmjet ankesave me shkrim një grup farmacistësh i janë drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë. Por nga ana tjetër edhe përfaqësuesi i ministrisë në Këshillin Kombëtar të Urdhrit nuk është thirrur në këtë mbledhje kur janë vendosur ndryshimet. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, sqaron se në plan të parë ndryshimet e bëra në statut kanë kapërcyer ligjin e barnave, i cili ka të shprehura qartë kriteret e drejtuesit teknik.
"Urdhri  është një ent publik, të cilin ministria nuk mund ta urdhërojë. Por i kam kërkuar të japin sqarime përse nuk është njoftuar përfaqësuesi i ministrisë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar dhe të dërgojë procesverbalin e mbledhjes në lidhje me vendimet e marra. Drejtoria Juridike paraprakisht ka parë ndryshimet e bëra në statut, të publikuara në faqen e UFSH-së. Këto ndryshime në plan të parë  kapërcejnë ligjin e barnave, i cili ka të përcaktuar qartë kriteret e drejtuesit teknik dhe nuk lejon Urdhrin të bëjë shtesa të tjera. Nëse do të konkludohet përfundimisht për kapërcim të ligjit dhe kapërcim të kompetencave të Urdhrit do t'i kërkojmë UFSH-së që të rishikojë vendimet për ndryshimet e bëra në statut", shprehet ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Në bazë të ligjit, çdo organ i cili ka një  statut të  tijin duhet ta hartojë  atë në  përputhje  me atë  çka i lejon ligji dhe jo të  kapërcejë kriteret e përcaktuar në  të.

Përgatiti: Alma Demiraj

 


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC