Fitoterapi

nën192018

Cilat bimë dhe barna janë armike të varfarinës?

Varfarina është një antikoagulant kumarinik, antagonist i tërthortë i vitaminës K, që përdoret gjerësisht sot në parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve tromboembolike. Varfarina frenon enzimën në themel të procesit të koagulimit që aktivizon vitaminën K, duke reduktuar kështu sasinë e vitaminës K që është në dispozicion të sintezës së faktorëve të koagulimit II, VII, IX dhe X (të varur nga vitamina K) dhe të proteinave antikoagulante C dhe S, të përfshira në procesin e koagulimit.

Kështu, me dozimin e duhur, molekula arrin të bëjë një ndalim të pjesshëm të sintezës së faktorit të koagulimit, në mënyrë që koha e protrombinës të zgjatet 2-3 herë, në krahasim me vlerën normale. Themi "me dozimin e duhur", sepse sasia e varfarinës shpesh monitorohet nga mjeku përshkrues, duke qenë se mënyra e jetesës së pacientit mund të ndryshojë biodosponueshmërinë dhe efektivitetin e saj.

 

Dieta dhe barnat e tjera
Një variant i thjeshtë i dietës me shtimin ose pakësimin e perimeve që përmbajnë vitaminë K (sidomos perimet me gjethe jeshile) mund të modifikojë ndjeshëm efektin antitrombotik të barit. Por, jo vetëm ushqimi. Në të vërtetë, ka shumë barna që mund të ndërhyjnë në farmakodinamikën e varfarinës: acidi acetil salicilik me anë të efektit antitromobocitar, clofibrate, për shkak të ndryshimit të ndjeshmërisë së receptorit, antibiotikët, nëpërmjet reduktimit të prodhimit të vitaminës K nga flora simbiotike, diuretikët që rrisin përqendrimin e faktorëve të koagulimit.

Edhe farmakokinetika është lehtësisht e modifikueshme: anti-H2 si cimetidine, FANS-at, kontraceptivët oralë, beta-bllokuesit... Që të gjithë janë në gjendje të rrisin efektin antikoagulant të varfarinës.

 

Bimët, terapitë tradicionale dhe "plotësuese"
Kujdesi dhe vëmendja janë edhe më të rëndësishme në këtë rast, pasi bimët, si depozita të mijëra molekulave kimike, kanë më shumë se një mënyrë për të rrezikuar bashkëveprimin me këtë molekulë antikoagulante.
Shumë studime klinike dhe raporte të rasteve kanë identifikuar një faktor rreziku për shëndetin e pacientit në ndërveprimin ndërmjet varfarinës dhe fitoterapisë. Ndërveprimet mund të jenë si farmakokinetike, ashtu edhe farmakodinamike, megjithëse induksioni ose frenimi i enzimave metabolike është mekanizmi më i zakonshëm bazë që modifikon veprimin e varfarinës.

Janë më shumë se 58 bimët, nga të cilat ka evidencë në literaturë lidhur me një ndërhyrje të mundshme në terapinë antikoagulante: nëse veprimi i hypericumit njihet si një induktor enzimatik, i cili për rrjedhojë redukton në masë të madhe kohëzgjatjen e efektit të varfarinës, merret me mend se xhinko, për shkak të vetive të tij antiagreguese, është i kundërindikuar.

Boronica (Vaccinum macrocarpon), e përdorur zakonisht për të parandaluar rastet e cistitit, nëse përdoret njëkohësisht me varfarinën, mund të rritë shumë efektin antikoagulant, deri të paraqesë një rrezik serioz për hemorragji te pacienti.

Përveç Hypericumit, edhe soja (Glicyne max) dhe Salvia miltiorrhiza mund të zvogëlojnë efektin antikoagulant duke ndërhyrë në funksionin e trombociteve dhe në ciklin e vitaminës K (S. mltiorrhiza) ose për vetë përmbajtjen e vitaminës K që ka soja.

Kamomili qetësues (Chamomilla Recutita), duke ndërvepruar me enzimat që metabolizojnë molekulën, mund të rritë shumë efektin antikoagulant të varfarinës, ashtu si edhe kanabisi (Cannabis sativa), hudhra (Allium sativum), farat e grejfrutit (Citrus paradise) dhe tërfili i kuq (Trifolium pratense).

Çaji jeshil (Camellia sinensis), ginsengu (Panax ginseng), edhe pse me incidencën më modeste, mund të pengojnë efektin antikoagulant, duke ndryshuar metabolizmin hepatik të barit.

Harpagophytum procumbens, Peumus boldus, Echiancea purepurea, Trigonella foenumgraecum, Melilotus officinalis dhe Serenoa repens, plotësojnë grupin e bimëve të njohura dhe të përdorura që mund të modifikojnë pozitivisht ose negativisht efektin antikoagulant të varfarinës. Të gjitha këto janë bimë për të cilat, të paktën një studim klinik në literaturë konfirmon rrezikun e ndërveprimit farmakodinamik ose farmakokinetik me varfarinën.

 

Luca Guizzon, ekspert në fitoterapi

Burimet:
Curr Med Chem. 2011;18(31):4836-50
Chen XW1, Serag ES, Sneed KB, Liang J, Chew H, Pan SY, Zhou SF.
Biomed Pharmacother. 2016 Oct;83:14-21. doi: 10.1016/j.biopha.2016.06.012. Epub 2016 Jun 17.
PLOS ONE 12(8): e0182794.https://doi.org/10.1371/journal.pone.0182794
Evid Based Complement Alternat Med. 2014; 2014: 957362.


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC