Lajm Formues

Hipertiroidizmi: simptomat dhe trajtimi

Hipertiroidizmi  është një gjendje kronike e karakterizuar nga një rritje patologjike e sintezës, sekretimit dhe e niveleve të tiroksinës (T4) e triodotironinës (T3) të lira në gjak. Këto dy hormone prodhohen nga tiroidja, një gjëndër endokrine, e vendosur në bazën e qafës, e cila drejton metabolizmin e trupit.

Origjina
Shkaku kryesor i hipertirodizmit është sindroma Basedow-Graves (strumë toksike e përhapur), një sëmundje autoimune që stimulon gjëndrën tiroide të punojnë më shumë nga ç'nevojitet. Prek kryesisht gratë dhe ka një kurs të karakterizuar nga periudha lehtësimi e rikthimi. Kushte të tjera më pak të shpeshta në lidhje me këtë mosfunksionim endokrin janë: sindroma Plummer (strumë toksike e veçuar) dhe adenoma e hipofizës TSH sekretuese. Me tirotoksikozë (term i përdorur si sinonim) kuptohet një çlirim i tepërt i hormoneve tiroide të shkaktuara nga një inflamacion i gjëndrës tiroidiene  dhe jo domosdoshmërisht nga rritja e sintezës. Një formë kalimtare e hipertiroidizmit mund të shfaqet gjatë shtatzënisë.

Simptomat
Manifestimet klinike të hipertiroidizmit jo krejtësisht specifike për këtë patologji janë: djersitja, takikardia, rritje e presionit të gjakut, lodhje, humbje peshe pavarësisht oreksit të mirë, intolerancë ndaj të nxehtit, nervozizëm, pagjumësi, dridhje duarsh, ndryshime menstruale, diarre dhe ënjtja e gushës. Një shenjë tipike e sindromës Basedow është zgjatje e  kokërdhokëve të syve dhe fotofobi.
Simptomat mund të përkeqësohen me marrjen e pandërgjegjshme të jodit, të cilin e përmbajnë pasta dhëmbësh, shpëlarës të gojës, pajisjet radiologjike, dezinfektues, barna, prezervativë dhe kripa e jodizuar.

Diagnoza
Mjeku procedon me prekjen e qafës për të parë nëse ka një rritje të madhësisë së tiroides. Për praninë e hipertiroidizmit, nga analizat e gjakut do të tregohet një rënie e niveleve të TSH-së, hormoni stimulues i tiroides i prodhuar nga hipofiza, dhe një rritje e fraksionit të lirë të T3 dhe T4. Një dozë e TSH-së në serum është testi më i mirë që duhet kryer së pari, pasi është gjithmonë i shtypur te pacientët me hipertiroidizëm. Ndërsa zbulimi i antitrupave anti-tiroide sinjalizon për ekzistencën e një sëmundjeje autoimune në veprim. Për të përfunduar diagnozën mund të jetë e dobishme kryerja e një ekografie dhe një shintigrafie tiroidiene.

Trajtimi
Nëse nuk trajtohet ashtu siç duhet, hipertiroidizmi mund të shkaktojë rritje maksimale të presionit të gjakut, zgjerimin e barkushes së majtë dhe dekompensim kardiak. Terapia përfshin administrimin e barnave anti-tiroidiene dhe në raste të veçuara beta-bllokues. Është gjithmonë e këshillueshme shmangia e duhanit dhe alkoolit si dhe konsumi i çokollatave dhe pijeve me kafeinë.

Pyetje esenciale
Kur e vutë re se po dobësoheshit pa ndonjë shkak?
Ndiheni shpesh e irrituar?
Keni vënë re fryrje apo dhimbje të gushës?


Monika 54 vjeçe është shpesh e nervozuar, ka episode takikardie dhe rritje të presionit të gjakut. Gjithashtu ka vënë re dridhje të vogla të duarve. Këto simptoma ja ka mveshur menopauzës, vetëm se në vend që të shëndoshet, siç ndodh me bashkëmoshataret e saj, po dobësohet.
 
   
Çfarë i duhet këshilluar pacientes?

A

Të marrë benzodiazepinë për të rifituar qetësinë

B

Të kryejë një test mbi funksionimin e tiroides

C

Të shkojë te kardiologu

Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC