Farmaci

dhj42017

Mos i ndani dhe copëtoni barnat! Është e rrezikshme

Ndarja e tabletave, duke i copëtuar apo shkërmoqur për t'i përzier me ushqimin, ndryshon strukturën e barnave dhe mund të pakësojë efikasitetin e terapisë, si dhe të shtojë rrezikun për efekte anësore.
Kështu janë shprehur ekspertët e Shoqatës Italiane të Gerontologjisë dhe të Geriatrisë (SIGG), gjatë kongresit kombëtar në Napoli. Ata kanë shpjeguar se çfarë mund të ndodhë nëse e ndajmë tabletën: në një nga tre raste, copat nuk ndahen në të njëjtën madhësi, por edhe kur e bëjmë ndarjen me ndarësen e posaçme, dozimi modifikohet më së paku 15%, në krahasim me atë që ka përshkruar mjeku. Nicola Ferrara, president i SIGG-ut dhe mjek i përgjithshëm dhe geriatër në Universitetin "Federico II" të Napolit, ka nënvizuar se kjo "mund të jetë e rrezikshme kur kemi të bëjmë me barna që kanë një fushë terapeutike strikte, pasi ato mund të jenë helmuese nëse merren në dozime që devijojnë qoftë edhe shumë pak nga terapia. Nuk duhen copëtuar dhe as shtypur, për shkak se humbin efikasitetin dhe bëhen më pak të tolerueshme, as tabletat gastrorezistente (siç është për shembull esomeprazoli), që janë veshur me një film të jashtëm për të kapërcyer barrierën e stomakut dhe për t'u shkrirë në abdomen, të gjitha kapsulat e veshura dhe ato me çlirim të ngadaltë e të zgjatur". Sipas ekspertëve, rreziku i pasaktësisë në ndarje "ekziston edhe kur tabletat kanë një vizë ndarëse në mes, mbi të gjitha, në rastet e të moshuarve, që kanë shpesh vështirësi me shikimin ose probleme me artikulacionet".

Shtypja e barnave është akoma më e pakëshillueshme, pasi "është thuajse e pamundur që gjatë këtij procesi të mos humbësh një pjesë të tabletës. Ndodh shpesh që pacientët t'i shtypin të gjitha tabletat së bashku dhe t'i marrin si një bar të vetëm. Kjo përzierje është e rrezikshme, pasi mund të ketë ndërveprim mes përbërësve të ndryshëm dhe të përballemi me fenomene irritimi të rrugëve të ajrit, për shkak të thithjes së pluhurave".
Në rastet e të moshuarve në gjendje të brishtë shëndetësore, të cilët trajtohen për shumë sëmundje, mjekët geriatër këshillojnë që të shmanget në maksimum zakoni i ndarjes apo i shtypjes së tabletave, por rikujtojnë se ndarja e tyre mund të jetë e këshillueshme nga mjeku në fillim të trajtimit për të verifikuar përgjigjen e pacientit në doza shumë të ulëta, ose për të ndërprerë gradualisht terapinë. Në këto raste, nëse nuk është në gjendje për ta prerë siç duhet tabletën, është më mirë t'i kërkohet mjekut të përshkruajë të njëjtat molekula në një trajtë tjetër: në formë pikash, shurupi ose pluhuri.
Këtu është e nevojshme t'u tërhiqet vëmendja edhe ndërmarrjeve farmaceutike: përbërës të ndryshëm aktivë që përshkruhen shpesh nga mjekët, siç janë: ace-inhibitorët ose beta-bllokuesit, nuk kanë alternativa të ndryshme në formën e tabletave ose kapsulave. Është mirë që, për kapsulat dhe tabletat që nuk mund të copëtohen ose të ndahen, siç janë tabletat e veshura, gastrorezistentet dhe ato me çlirim të ngadaltë, industria të bëjë të mundur trajta të tjera me të njëjtin efikasitet, por më të sigurta. Duke parë shtimin e moshës mesatare të popullsisë, do të ishte mirë që shtëpitë farmaceutike t'u kushtonin të moshuarve të njëjtën vëmendje që i kushtojnë grupmoshës pediatrike, duke formuluar preparate ad hoc. (SZ)


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC