Ushqyerje

pri192023

Kripa dëmton arteriet edhe nëse presioni i gjakut është normal

Marrja e tepërt e kripës është një faktor rreziku i rëndësishëm për aterosklerozën, edhe në mungesë të hipertensionit. Në këtë përfundim ka arritur një studim i madh suedez i botuar në "European Heart Journal Open", në të cilin u përfshinë mbi 10,000 njerëz 50-64 vjeç.

Studimi tregon një lidhje të rëndësishme midis marrjes së kripës nëpërmjet dietës dhe rrezikut për lezione aterosklerotike të arterieve koronare dhe karotide, madje edhe te pjesëmarrësit që presionin e gjakut e kishin brenda normave dhe nuk kishin as sëmundje kardiovaskulare.

"Dihet se marrja e tepërt e kripës është e lidhur me drejtpërdrejt me hipertensionin, por roli i saj në aterosklerozë është më pak i qartë pasi ka mungesë të dhënash për lidhjen midis ndryshimeve në pllakat aterosklerotike dhe marrjes së kripës. Ne mundëm ti siguronim këto të dhëna nga grupi ynë dhe menduam t'i përdornim për të mbushur këtë boshllëk njohurish", tha bashkautori Jonas Wuopio nga Instituti Karolinska në Suedi, i cili së bashku me kolegët nëpermjet tomografisë koronare të kompjuterizuar (CCTA) dhe ekografisë së arterieve të qafës analizuan 10,788 të rritur me moshë mesatare 58 vjeç, 52% e të cilëve ishin gra, duke ekstrapoluar marrjen e kripës nga shkalla e ekskretimit 24-orësh të natriumit.

"Nëpërmjet CCTA-së ne morëm imazhet 3D të arterieve koronare të cilat na lejuan të matim shkallën e kalcifikimit të arterieve koronare dhe të zbulonim çdo stenozë", shkruajnë studiuesit të cilët në fund të studimit zbuluan se çdo gram shtesë natriumi i ekskretuar në urinë korrespondon me një rritje prej 17% të rrezikut për zhvillimin e aterosklerozës.

"Rezultatet tona treguan se sa më shumë kripë të konsumojnë njerëzit, aq më e madhe është barra e pllakave aterosklerotike në arteriet e zemrës dhe qafës", shpjegon Wuopio.

"Këto rezultate hedhin dritë mbi marrëdhënien e drejtpërdrejtë midis rrezikut për sëmundjet kardiovaskulare aterosklerotike dhe marrjes së tepërt tëe kripës nëpërmjet dietës, duke treguar se kjo e fundit mund të jetë një faktor rreziku për aterosklerozën edhe para zhvillimit të hipertensionit", shkruajnë në një editorial të lidhur Maciej Banach nga Universiteti Mjekësor i Lodz-it dhe Stanislaw Surma nga Fakulteti i Shkencave Mjekësore të Katowice në Poloni.

 

European Heart Journal Open 2023. Doi: 10.1093/ehjopen/oead024
https://doi.org/10.1093/ehjopen/oead024

European Heart Journal Open 2023. Doi: 10.1093/ehjopen/oead025
https://doi.org/10.1093/ehjopen/oead025


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC