Shëndetësi

jan132022

Një nga pasojat e Covid-19: Rritja e vlerave të presionit të gjakut te të rriturit. Të dhënat e studimit të kohëve të fundit

Pandemia COVID-19 duket se është e lidhur me një shtim të presionit të gjakut tek amerikanët e moshës së mesme. Ky është rezultati i një studimi të publikuar në Circulation. Kufizimet e vendosura midis marsit dhe prillit 2020, i ashtuquajturi "qëndrim në shtëpi", nënkuptonin që kujdesi shëndetësor për shumë gjendje shëndetësore kronike do të bëhej nga distanca, gjë që nuk kishte ndikim të mirë në stilin e jetesës.

"Në fillim të pandemisë, shumica e njerëzve nuk kujdeseshin për veten. Rritja e presionit të gjakut ishte ndoshta e lidhur me ndryshimet në zakonet e të ngrënit, shtimin e konsumit të alkoolit, pakësimin e aktivitetit fizik, respektimin e dobët të terapive  farmakologjike, stresin më të madh emocional dhe mungesën e gjumit", shpjegoi Luke J. Laffin, nga Cleveland Clinic, emri i parë i artikullit. "Dhe ne e dimë se edhe rritjet e vogla të presionit të gjakut shtojnë rrezikun për iktus dhe ngjarje të tjera të pafavorshme kardiovaskulare", vazhdoi ai. Meqenëse ishte i paqartë ndikimi i pandemisë në presionin e gjakut, ekipi hulumtues donte të analizonte ndryshimet te të rriturit në Shtetet e Bashkuara. Për ta bërë këtë, janë përdorur të dhëna nga afro 500,000 punonjës, së bashku me partnerët e tyre, me moshë mesatare 45.7 (11.1) vjeç, pjesëmarrës në programin Wellness, të cilët e kanë matur presionin e gjakut çdo vit nga viti 2018, deri në vitin 2020.

Individët u ndanë në 4 grupe në bazë të presionit të gjakut: hipertensioni normal, i ngritur, hipertensioni i fazës 1 dhe 2. Është konstatuar se nga prilli deri në dhjetor 2020, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, ka pasur një rritje çdo muaj të presionit mesatar të gjakut, i cili varionte nga 1.1 deri në 2.5 mmHg për atë sistolik dhe nga 0.14 deri në 0.53 mmHg për atë diastolik. Shtimi më i madh në të dyja llojet e presionit të gjakut u pa te gratë, presioni i gjakut sistolik te të moshuarit dhe presioni diastolik te të rinjtë. Për më tepër, krahasuar me para-pandeminë, në pandemi, 26.8% e pjesëmarrësve u riklasifikuan në një grup me presion më të lartë, ndërsa vetëm 22%, në një grup me presion më të ulët.

"Nevojitet mbikëqyrje e vazhdueshme e presionit të gjakut te të rriturit amerikanë pas pandemisë për të vlerësuar qëndrueshmërinë e rritjeve të raportuara këtu", shkruajnë autorët, të cilët pranojnë kufizimet e studimit. "Ndërhyrjet e shëndetit publik që përforcojnë nevojën për të adresuar problemet kronike mjekësore, edhe gjatë një pandemie, mbeten vendimtare", përfundojnë ata.

 

Circulation 2021. Doi: 10.1161/CIRCULATIONAHA.121.057075.
https://doi.org/10.1161/CIRCULATIONAHA.121.057075


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC