Shëndetësi

gus252021

Mangësi të mëdha në raportimin e efekteve anësore të barnave gjatë studimeve klinike

Sipas një studimi të botuar në Journal of Clinical Epidemiology, nevojiten përmirësime të shpejta në raportimin e efekteve anësore mbi eksperimentet klinike. Në vitin 2004, u publikuan udhëzime të reja të rëndësishme mbi këtë temë, me qëllim përmirësimin e raportimit të efekteve negative, por duket se kjo nuk ka qenë e mjaftueshme. "Eksperimentimet e barnave kryhen për t'u siguruar mjekëve informacion mbi përfitimet dhe efektet negative të trajtimeve. Studimi ynë tregon se, për fat të keq, ka pasur vetëm një përmirësim të vogël në raportimin e efekteve negative në studime gjatë 17 viteve të fundit", thotë Su Golder, nga Universiteti i Jorkut, i cili bashkëpunoi në studim.

Studiuesit analizuan rishikimet sistematike të 1,200 studimeve me përzgjedhje rastësore të  kontrolluara (RCT), për të vlerësuar nëse raportimi u përmirësua me kalimin e kohës. Megjithatë, informacioni i nevojshëm nga studiuesit për të vlerësuar se cilat efekte negative janë raportuar dhe se si janë raportuar, është përfshirë në më pak se gjysmën e RCT-ve të analizuara. Ekspertët thonë se shumë studime përqendrohen në përfitimet dhe jo në efektet negative të barit të marrë në shqyrtim, ose në dëmet që janë të zakonshme, ose të përcaktuara si të rënda, që shkaktojnë shtrim në spital, paaftësi ose vdekje.

"Duhen identifikuar edhe dëmtimet e tjera në dukje të vogla që mund të jenë të rëndësishme për pacientët, veçanërisht pasi ato mund të jenë arsyeja pse njerëzit nuk marrin barna. Mund të përmendim për shembull diarrenë, të vjellat, apo probleme të tjera të këtij lloji", vazhdon Golderi. Sipas autorëve, shumë e rëndësishme është gjithashtu të dish nëse një medikament i caktuar ka pasur ndikime të ndryshme në grupe të ndryshme njerëzish, për shembull, nëse ka pasur efekte më të mëdha te gratë sesa te burrat, ose nëse një dëmtim i caktuar është rritur me moshën, por shpesh këta parametra nuk merren parasysh. Studiuesit arrijnë në përfundimin se mungesa e raportimit të efekteve negative në studimet klinike të publikuara mund të krijojë një përshtypje të rreme mbi sigurinë dhe të mos ofrojë një informacion të qartë mbi të cilin mund të bazohen vendimet klinike dhe politike.

"Sistemi shëndetësor, politikëbërësit dhe pacientët kanë nevojë për informacion të besueshëm mbi përfitimet dhe efektet negative të trajtimeve, për të marrë vendime të sakta dhe të informuara", përfundojnë studiuesit.

 

Journal of Clinical Epidemiology 2021. Doi: 10.1016/j.jclinepi.2021.04.020
https://doi.org/10.1016/j.jclinepi.2021.04.020


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC