Shëndetësi

pri282021

Varianti COVID në Indi. Çfarë dimë deri më tani

Numri i infeksioneve të reja nga coronavirusi vazhdon të rritet ndjeshëm në Indi. Autoritetet shëndetësore regjistruan më shumë se 320,000 raste të reja dhe 2,771 vdekje në 24 orët e fundit, në një popullsi të përgjithshme prej 1.38 miliardë njerëzish. Është shumë herët të thuhet nëse varianti i ri i virusit, B.1.617, është përgjegjës për shtimin e shpejtë të infeksioneve, por ai po trajtohet si një shkak i mundshëm.

 

Çfarë roli luajnë variantet e virusit?

Në shumë raste dhe vende të tjera, variantet e reja kanë luajtur një rol në shpërthimin e infeksioneve. Disa ekspertë janë të shqetësuar edhe për faktin se varianti indian mund të kthehet në një lloj "super mutacioni" që do të vazhdojë të përhapet në të gjithë botën dhe, ai është përhapur tashmë në vende të tjera. Autoritetet shëndetësore e kanë zbuluar variantin B.1.617 në Gjermani, Belgjikë, Britani, Zvicër, Shtetet e Bashkuara, Australi dhe Singapor. Ministria britanike e Shëndetësisë ka raportuar gjithashtu disa dhjetëra raste me këtë variant.

 

Pse mund të bëhet i rrezikshëm varianti indian?

Varianti indian përbëhet nga dy mutacione në proteinën kunj të virusit. Proteina kunj e lejon virusin të hyjë në trup dhe ta infektojë atë. Më tej, virusi mund të përhapet shpejt përmes trupit, nëse iu shpëton antitrupave në sistemin imunitar ose atyre të zhvilluar si rezultat i një vaksine, ose, nëse nuk ka fare antitrupa.
Ekspertët thonë se ekziston rreziku që njerëzit e shëruar nga një infeksion COVID-19, ose ata që janë vaksinuar, mund të mos jenë aq elastikë ndaj këtij varianti të ri sa ndaj formave të tjera të virusit.

 

Cila është e veçanta e variantit indian?

Mutacionet e gjetura në variantin indian identifikohen si E484Q dhe E484K.
Ato nuk janë plotësisht të reja, pasi janë identifikuar edhe në mutacione të tjera, si për shembull në variantin e Afrikës së Jugut, B.1.353 dhe në variantin brazilian, P1.
Në disa raste, mutacionet indiane janë zbuluar në variantin britanik, B.1.1.7.
Ekzistojnë mutacione të tjera, siç është ai i quajtur L452R, i cili është zbuluar në një variant kalifornian të virusit, B.1.429. I njëjti, u gjet edhe në një variant në Gjermani.

 

Duhet parë me interes apo me shqetësim?

OBSH-ja e kategorizon variantin indian si "variant me interes". Kjo do të thotë se po monitorohet, por për momentin, nuk është shqetësues.
Dr. Jeffrey Barrett, drejtor i Iniciativës së Gjenomikës COVID-19 në Institutin Wellcome Sanger, Britani, ka komentuar se varianti indian është përhapur në nivele shumë të ulëta gjatë muajve të fundit dhe kjo bën që ai "të ketë të ngjarë të mos jetë aq i transmetueshëm sa B.1.1.7."
Por një numër ekspertësh të tjerë e shohin kërcënimin ndryshe dhe, zhvillimet aktuale sugjerojnë se ata mund të kenë të drejtë.

Në shtetin indian të Maharashtrës, më shumë se 60% e të gjitha infeksioneve të coronavirusit janë lidhur me variantin e ri B.1.617, bazuar në infeksionet e sekuencuara sipas origjinës së tyre.
Por, autoritetet lokale thonë se numri i rasteve të sekuencuara është shumë i ulët, ndaj nuk mund të nxjerrin konkluzione të qarta.
Kështu, mbetet e paqartë nëse varianti indian është përgjegjës për shtimin e infeksioneve në Indi.


Burimi: Deutsche Welle


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC