Shëndetësi

pri202020

COVID-19, inhibitorët ACE dhe ARB-të. Studime të reja në zhvillim

Gjatë epidemisë COVID-19, pacientët që trajtohen me inhibitorë të enzimës konvertuese të angiotenzinës (ACE-I) ose bllokuesit e receptorëve të angiotenzinës (ARB) nuk kanë pse ta ndërpresin trajtimin. Ky mendim mbështetet nga komuniteti i kardiologëve. Përkundër dyshimeve të shumta, gjithnjë e më shumë ekspertë sugjerojnë se këto barna mund të sjellin përfitime për sëmundjen. "Besueshmëria biologjike e efekteve e ACE-I/ARB mbi shëndetin e subjekteve me COVID-19 është intriguese", shkruan Chirag Bavishi, nga Shkolla Mjekësore e Universitetit Brown në Shtetet e Bashkuara, në një artikull të botuar në "JAMA Cardiology".

Deri më tani nuk ka asnjë provë që tregon avantazhin e këtyre barnave. Shumë sugjerojnë të mos niset trajtimi në mungesë të indikacioneve të qarta klinike, pavarësisht nga udhëzuesit e botuar nga shoqatat kryesore të kardiologjisë, përfshirë Shoqatën Amerikane të Zemrës dhe Shoqatën Evropiane të Kardiologjisë, që këshillojnë të vazhdohet terapia, përveçse nëse ka arsye të vlefshme për të mos e bërë këtë. Aktualisht po nisin disa studime mbi bllokuesit e reninë-angiotenzinë-aldosteronit në pacientët me COVID-19. Njëri prej tyre po nis në Itali. Dy të tjerë, me përzgjedhje rastësore dhe të kontrolluara, në fazën e planifikimit, synojnë të testojnë losartanin në subjektet e shtruara në spital apo ato ambulantore, por studimet janë të vogla dhe rezultatet nuk do të vijnë para vitit 2021. Një seri studimesh të cilat, sipas Majd AlGhatrif, të Universitetit "Johns Hopkins" në SHBA, autori kryesor i një artikulli të botuar në "JAMA Cardiology", "formojnë një linjë të kërkimit strategjik drejt parandalimit dytësor".

Studimet mbi kafshët kanë treguar një ulje të shprehjes ACE2 me moshën, e cila është në përputhje me ndryshimin pro-inflamator në sistemin reninë-angiotenzinë që çon në një sinjal të lartë të angiotenzinës. "Mbirregullimi i ACE2 në subjektet me diabet dhe hipertension të trajtuar me ACE-I/ARB është, në njëfarë kuptimi, riparues i funksionit fiziologjik", shkruan AlGhatrif. Por, kjo krijon një paradoks.
"Duke pasur parasysh që vetë ACE2 është portë hyrjeje e SARS-CoV-2 në qeliza, si është e mundur që reduktimi i niveleve të ACE2 te të moshuarit dhe ata me CVD të predispozojë për ashpërsi më të lartë COVID-19?". Sipas autorëve, një shprehje e shtuar e ACE2 çon në një predispozicion më të madh ndaj sëmundjes, ndërsa zvogëlimi i saj te të moshuarit me CVD, së bashku me rregullimin e rrugës angiotenzinës 2, mund të prirte për sëmundje më serioze.


JAMA Cardiol. 2020. Doi: 10.1001/jamacardio.2020.1282
https://jamanetwork.com/journals/jamacardiology/fullarticle/2764299

JAMA Cardiol. 2020. Doi: 10.1001/jamacardio.2020.1329
https://jamanetwork.com/journals/jamacardiology/fullarticle/2764300


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC