Shëndetësi

nën62019

Psoriaza me pllaka. Të dhëna të reja mbi terapitë biologjike

Janë gjithnjë e më bindëse të dhënat që mbështetin terapitë biologjike në trajtimin e psoriazës me pllaka të fazës së moderuar/të rëndë, edhe në jetën reale. Të dhënat e reja mbi tildrakizumabin, një antitrup monoklonal i humanizuar, i tipit IgG1/k që drejtohet kundër interleukinës 23 dhe mbi secukinumabin, një antitrup monoklonal IgG1/ê plotësisht njerëzor që neutralizon interleukinën-17A, janë diskutuar në Kongresin e 8-të të Akademisë Europiane të Dermatologjisë dhe Venerologjisë (EADV), në Madrid.

Studimet reSURFACE 1 e reSURFACE 2 kanë vlerësuar efikasitetin dhe sigurinë e tildrakizumabit te pacientët me psoriazë me pllaka, të moderuar/të rëndë. Në studimin e parë, pas 64 javëve të para të terapisë me barin aktiv apo me placebon, pacientët që kishin paraqitur një përgjigje të plotë ose të pjesshme, e kanë ndjekur terapinë me 100 mg tildrakizumab për 192 javë të tjera, ndërsa në të dytin, në të cilin tildrakizumabi ishte krahasuar me etanerceptin dhe me placebon, pacientët që i ishin përgjigjur barit, janë trajtuar deri në 244 javë me doza prej 100 apo prej 200 miligramësh.
Në të dyja studimet, më shumë se gjysma e pacientëve ka arritur një rezultat PASI prej 90 (respektivisht 56% në studimin e parë dhe 64 % në të dytin), ndërsa 82 e 89% kanë kapërcyer PASI 75. Një analizë post hoc e të dyja studimeve ka vlerësuar efikasitetin e terapisë edhe te pacientët me sindromë metabolike, gjendje që siç dihet, paraqet një incidencë të lartë te pacientët me psoriazë, duke treguar se bari funksionon mirë si në mungesë, ashtu edhe në prani të sindromës metabolike.

Efikasiteti i secukinumabit në trajtimin e manifestimeve artikulare, si dhe të atyre në lëkurë të psoriazës, konfirmohet nga rezultatet e dy studimeve të fazës 3, të kryera mbi 477 pacientë me artrit psoriazik me ose pa entezit, një manifestim i pranishëm te 30-50% e pacientëve. Bari ka bërë të mundur arritjen e zgjidhjes së plotë të entezitit në periudha konsiderueshëm më të shkurtra sesa placeboja. Secukinumabi është tashmë i disponueshëm prej kohësh dhe kjo na ka dhënë mundësi të mbledhim shumë informacione në lidhje me efektivitetin e tij në botën reale.
Në kongres janë paraqitur rezultatet e pesë studimeve vëzhguese të kryera në Amerikën Veriore e Jugore dhe në Europë, që kanë përfshirë gjithsej mbi 13 mijë pacientë, nga të cilët ka dalë jo vetëm efikasiteti dhe siguria e barit, por edhe ndikimi i tij pozitiv në cilësinë e jetës edhe në planin afatgjatë, deri në dy vjet e gjysmë.

 

Franco Marchetti


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC