Shëndetësi

maj42018

Fertiliteti. Shkencëtarët krijojnë nga qelizat staminale, struktura të ngjashme me embrionet

Sipas një artikulli të botuar në "Nature", një grup studiuesish holandezë ka rikrijuar në laborator me qelizat staminale të miut, struktura të ngjashme me embrionet e fazës së hershme. Kur janë transferuar te mitra e miut, këto qeliza kanë nxitur ngjarje rimodeluese, të ngjashme me ato të vërejtura në kohën e implantimit të embrionit në muret e mitrës. Edhe pse nuk janë zhvilluar deri në fazën e shndërrimin në një embrion të pjekur, ato mund t'u ofrojnë studiuesve një model të kulturës së hershme të qelizave dhe të ndihmojnë për të hedhur dritë mbi proceset kyçe që qëndrojnë në bazë të kësaj periudhe të rëndësishme të jetës.

"Disa ditë pasi është fekonduar, veza e gjitarit zhvillohet duke u shndërruar në një blastocist, një strukturë sferike e përbërë nga një shtresë e jashtme qelizore që rrethon një zgavër të mbushur me lëng, e cila përmban një masë qelizash embrionale. Linjat qelizore staminale janë marrë që më parë, si nga shtresa e jashtme, ashtu edhe nga qelizat embrionale, por tani kemi treguar se të dyja llojet e qelizave mund të ndërveprojnë in vitro për të krijuar struktura të ngjashme me blastocistet, blastoidet", shpjegon Nicolas Rivron, i Institutit MERLN të Universitetit të Mastrihtit, autori kryesor i studimit.

Blastoidet e rikrijuara në laborator kanë formë të ngjashme me një blastocist 3.5-ditor dhe tregojnë modele të ngjashme të aktivitetit gjenetik. Ashtu si blastocistet, në fakt, ato janë formuar kur sinjalet që vijnë nga masa e brendshme e qelizave staminale embrionale nxisin zhvillimin e shtresës së jashtme qelizore. Në zhvillimin normal, kjo shtresë e jashtme do të formonte placentën, kështu që hulumtuesit shpresojnë se modeli i tyre mund të ndihmojë për të kuptuar se si është formuar placenta dhe se si vendoset embrioni në shtresën e mitrës.

"Ky hulumtim hap rrugën për një disiplinë të re biomjekësore. Ne mund të krijojmë një numër të madh embrionesh model dhe të zhvillojmë njohuri të reja duke testuar sistematikisht teknika të reja dhe barna potenciale e duke reduktuar kështu në mënyrë drastike, edhe nevojën për testim mbi kafshët. E gjitha kjo do të na ndihmojë të kuptojmë më mirë proceset e fshehta që ndodhin në fillim të jetës, të gjejmë zgjidhje për problemet e fertilitetit dhe të zhvillojmë barna të reja", përfundojnë autorët.

 

Nature 2018. doi: 10.1038/s41586-018-0051-0
https://www.nature.com/articles/s41586-018-0051-0


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC