Mirëqenie

sht262019

Mikroplastika tek ushqimet. Burimet kryesore: uji dhe peshqit.

Duhet të keni dëgjuar për ishullin e mbeturinave plastike që noton në mëshirën e rrymave në Oqeanin Paqësor. E kemi një të tillë edhe në Detin Mesdhe, shumë më të vogël (fatmirësisht) midis ishullit Elba dhe Korsikës. Ndikimi i tyre në ekosistemin detar është shkatërrues. Sikur të mos mjaftonte kjo, ato janë burim i prodhimit të vazhdueshëm të mikroplastikës, domethënë i grimcave plastike të llojeve dhe madhësive të ndryshme, që variojnë nga 0,1 µm deri në 5 mm dhe që ndotin zinxhirin ushqimor, duke filluar nga ujërat.

Mikroplastikat më të përhapura në mjedis mund të rrjedhin pikërisht nga dekompozimi i mbeturinave plastike të shpërndara në oqeane, për shkak të veprimit të dritës ultraviolet (UV) dhe gërryerjes fizike; ose drejtpërdrejt nga veprimtaria njerëzore. Grimcat plastike janë të pranishme në produktet kozmetike për kujdesin personal ose shtëpiak (pastrues, pastë dhëmbësh) ose në disa pëlhura nga të cilat bien gjatë larjes dhe derdhen në det përmes sistemeve të ujërave të zeza.
Të dhënat e disponueshme aktualisht për përqendrimet e ushqimit dhe toksicitetin janë akoma të pakta dhe nuk janë të mjaftueshme për të vendosur nivelin e rrezikut ndaj të cilit është ekspozuar shëndeti i konsumatorit. Universiteti i Njukastëllit në Australi, kohët e fundit, ka kryer një studim të porositur nga WWF-ja (World Wide Fund for Nature), nga i cili ka dalë se ne konsumojmë rreth 5 gr mikroplastikë në javë.

 

Burimet kryesore të mikroplastikës dhe nanoplastikës

Burimi kryesor? Uji, si në shishe, ashtu edhe nga çezma. Në vitin 2016, EFSA, Autoriteti i Sigurisë së Ushqimit, publikoi një raport mbi praninë e grimcave mikroplastike (por edhe të nanoplastikës, madhësitë e të cilave variojnë nga 1 deri në 100 nanometra) në produktet e peshkut. Më të ekspozuarit janë organizmat detarë, nga zooplanktoni deri te jovertebrorët dhe vertebrorët. Përqendrimet më të larta u gjetën te peshqit. Sidoqoftë, meqenëse mikroplastika është kryesisht e pranishme në stomakun dhe në zorrët e tyre, të cilat zakonisht eliminohen, peshqit nuk përbëjnë një burim shqetësimi ushqimor për ekspozimin te njerëzit. Butakët dhe molusqet bivalve, të tilla si gocat e detit dhe midhjet, të cilat përkundrazi, konsumohen të plota (domethënë, bashkë me traktin tretës) e ekspozojnë konsumatorin ndaj një sasie të caktuar mikroplastike. EFSA ka vlerësuar se 225 gramë midhje, mund të përmbajnë 7 mg mikroplastikë.
Sidoqoftë, shqetësuese mbetet që mikroplastika është gjetur edhe në kategori të tjera ushqimore: në mjaltë, birrë dhe kripë tavoline. Numri mesatar i grimcave për gram që gjenden në karkaleca është 0.75, ndërsa te molusqet bivalve, 0.2-4. Përmbajtja mesatare mikroplastike e raportuar për mjaltin është 0.166 fibra/g dhe 0.009 fragmente/g. Në birrë janë gjetur fibra, fragmente dhe kokrriza në një sasi prej 0.025, 0.033 dhe 0.017 për ml, përkatësisht. Në një gram kripë guri mund të ketë 0,007 dhe 0,68 grimca.

 

Rreziku që i kanoset njeriut

Çfarë dimë për rrezikun që i kanoset trupit të njeriut? Mikroplastikat më pak se 150 μm mund të migrojnë nëpër epitelin e zorrëve, duke rrezikuar të shkaktojnë ekspozimin sistemik, megjithëse thithja duket se është e kufizuar. Nga pikëpamja e ushqimit, sidoqoftë, një shqetësim ka të bëjë me përqendrimet e larta të ndotësve, siç janë bifenilet e poliklorinuara (Pcb), hidrokarburet aromatike policiklike aromatike (IPA) ose mbetjet e përbërjeve të përdorura në paketim, siç janë bifenoli A (Bpa) që do të grumbullohej në mikroplastikë dhe do të hynte lehtësisht në zinxhirin ushqimor.
Gjithsesi, jemi në fillim të hulumtimeve. Shifrat e para rrjedhin nga një nivel ndotjeje dhe kontaminimi shumë i përhapur, por do të jetë i nevojshëm një thellim në aspekte të ndryshme: nga ai toksikologjik, tek ai i qëndrueshmërisë mjedisore të materialeve dhe të një cikli jete të ambalazheve të qëndrueshme, për të garantuar shëndetin e njeriut dhe të ekosistemeve tokësore.

 

Francesca de Vecchi


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC