Fitoterapi

dhj112017

Barnat e reja kundër hipertensionit, vijnë nga bimët

Edhe në botën bimore mund të flitet, me rezervat e nevojshme, për molekula me efekt të mundshëm antihipertensiv, që i përkasin gjeneratës "së re" dhe "të vjetër".
Në këtë rast, nuk duam të përdorim dallimin mes "i ri" dhe "i vjetër", për të thënë se të parat bëjnë më shumë efekt se të tjerat, por për të vënë në dukje zbulimet më të reja të molekulave dhe bimëve, ndikimi i mundshëm antihipertensiv i të cilave, është vënë re vetëm vitet e fundit. Duke lënë mënjanë bimët klasike tashmë, hudhrën dhe murrizin, vitet e fundit, kërkuesit janë përqendruar tek ulliri evropian, fara e zezë (nigella sativa), kafeja arabike dhe quercetina. Ky i fundit është një flavonoid i kudogjendshëm në botën bimore, me cilësi të njohura antiinflamatore dhe antioksidante.
Quercetina i shfaq veprimet e saj kundër tensionit të lartë me një mekanizëm ende të papërshkruar plotësisht, por që me siguri, e bën këtë nëpërmjet ndërhyrjes mbi enzimën Ace ose mbi endothelin-1 qarkullues ose mbi oksidin nitrik. Megjithatë, arrin të nxitë qetësimin e venave dhe ta reduktojë tensionin mesatar në 5 mmHg. (1g quercetinë/ditë)
Efektet janë të pavlefshme te pacientët me tension gjaku normal, ndërkohë që bien në sy te pacientët me hipertension. Në doza më të ulëta (162 mg/ditë), quercetina arrin ta reduktojë presionin sistolik në 3,6 mmHg, jo vetëm në momentin akut, por edhe në harkun e 24 orëve. Kjo i bën kërkuesit të mendojnë se ajo ka një efekt potencial mbrojtës për zemrën. Nëse po pyesni veten se si është e mundur që sasi kaq të ndryshme të përbërësit aktiv kanë efekte jo në proporcion të drejtë, duhet të mësoni se, sasia më e ulët është administruar jo si e tillë, por si ekstrakt qepe, i pasuruar me quercetinë. Ekstrakti i qepës ka luajtur rolin e përforcuesit të penetrimit; quercetina ka, në fakt, problemin e biodisponueshmërisë së dobët.
Shumë më të disponueshëm janë përbërësit aktivë që përmban ulliri evropian: nuk flitet në këtë rast edhe aq për vajin që nxirret nga frutat e pemës (të cilëve kanë marrë gjithë meritat për dietën mesdhetare), sesa më së shumti për ekstraktin që nxirret nga gjethet.
Ekstrakti i nxjerrë nga gjethet, në dozimin 1 gr/ditë, mund të krahasohet me 50 mg captopril/ditë.
Në studimin e bërë nga Agus dhe Susalit, reduktimi i presionit sistolik ka patur një mesatare prej 11,5 mmHg për ekstrakt dhe 13,7 mmHg për molekulë, ndërsa presioni diastolik ka zbritur respektivisht në 4,8mmHg dhe 6,4mmHg. Shtojmë këtu se, pacientët që trajtohen me ekstrakt ulliri kanë vënë re edhe reduktim të niveleve të triglicerideve.
Përgjegjëse për këto efekte duket të jetë një përzierje fenolike e quajtur oleuropeinë, e cila, përveç efekteve hipoglicemizuese, hipolipidemizuese dhe hipotensive, ka veçori antiinflamatore dhe mund të ndihmojë në trajtimin e mbipeshës.
Efekti i europeinës duket se i atribuohet efikasitetit antioksidant të asaj vetë: duke reduktuar praninë e radikaleve të lira, shton efikasitetin e NOS-eve, me reduktimin shoqërues të aktivitetit të enzimave pro-oksidante dhe pro-inflamatorëve (NOX-1 e NOX-2). Veç kësaj, olereupeina duket se është në gjendje të shtojë çlirimin e oksidit nitrik dhe të zhvillojë veprim simpatoplegjik.
Edhe kumini "i thjeshtë" mund të zotërojë cilësi antihipertensive. Frutat e kuminit, të administruara në ekstrakt në dozat 100 ose 200 mg dy herë në ditë, për 8 javë, kanë reduktuar si presionin sistolik, ashtu edhe atë diastolik në krahasim me placebon, në varësi të dozës. Efekt anësor i trajtimit ka qenë edhe reduktimi i kolesterolit total dhe Ldl-së, në krahasim me nisjen e terapisë.

Mos u habisni tani nëse flasim për kafenë: aktiviteti hipertensiv, në të vërtetë i atribuohet farës së kafesë së papjekur (pa gatuar). Kafeja e gjelbër, në fakt, përmban acid klorogjenik (që është i pranishëm edhe në bimë të tjera, siç është plenra ngjitëse (Dittrichia viscosa)), një ester që ushtron efektin e tij antihipertensiv duke qetësuar murin e enëve të gjakut e duke rregulluar hyrjen e joneve të kalciumit. Në dozën 140mg/ditë, acidi klorogjenik arrin të reduktojë si presionin sistolik, ashtue dhe atë diastolik në pacientët me hipertension të moderuar. Efekti është i dukshëm edhe në doza më të ulëta (93mg/ditë) ose më të mëdha (185mg/ditë), me reduktime që variojnë nga 3,2 në 4,7 mmHg për sistolikun dhe nga 2,9, në 3,2 mmHg, për diastolikun.

Luca Guizzon
Farmacist ekspert në fitoterapi

Br J Nutr.2015 Oct 28;114(8):1263-77.
Nutr Res.2012 Aug;32(8):557-64.
Phytomedicine.2011 Feb 15;18(4):251-8.
Fundam Clin Pharmacol.2008 Aug;22(4):447-52.
Nutr Hosp.2014 Dec 17;31(3):1427-33.
J Asian Nat Prod Res.2014;16(9):953-62.
Clin Exp Hypertens.2006 Jul;28(5):439-49.
Biomed Pharmacother.2017 Sep;93:62-69.
Hypertens Res.2005 Sep;28(9):711-8.


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC