Fitoterapi

qer202017

Lidokaina viskoze: aftet nuk trembin më!

tags: Galenikë

Në rastin e afteve, gingivitit dhe stomatitit edhe kafshimi i thjeshtë i një molle mund të jetë një torturë. Për këto situata një princip aktiv që përdoret gjerësisht është lidokaina. Lidokaina është një anestetik lokal që i përket grupit të amideve: vepron në kanalin e sodiumit të pranishëm në aksone, duke bllokuar shkëmbimin e joneve të sodiumit dhe kaliumit, dhe kështu bllokon depolarizimin e membranës që nxit impulsin nervor të dhimbjes. Përdoret shumë pasi duke pasur një kohë të shkurtër veprimi (60-120 minuta) ka një fillim të shpejtë të efektit (disa minuta).
Lidokaina klorhidrat është e tretshme në ujë (1:07) dhe në alkool (1:15), me një pH të solucionit 0,5% që varion midis 4 dhe 5.5. Nëse flasim për aplikimin oral është e rëndësishme të përmendim shijen: e hidhur! Pra mund të jetë i nevojshëm përdorimi i ëmbëlsuesve (1-kariogjen) apo aromatizuesve për të bërë më të këndshëm aplikimin e xhelit.
Kur kërkohet një përgatitje galenike me lidokainë, për të qenë sa më të saktë është mirë të konsiderojmë gjithmonë peshën e kripërave të principit aktiv: 1g lidokainë "bazë" është ekuivalente me 1.23 g lidokainë klorhidrat monohidrat dhe 1,16 g lidokainë klorhidrat anhidrik.

Masa të tjera paraprake që duhen konsideruar janë ena dhe kombinimi me barnat e tjera: në fakt duke qenë një klorhidrat, rezulton jo kompatibël me të gjithë principet aktive anionike (sulfadiazina sodium, fenitoina sodium etj.) dhe me barnat e llojit acid (adrenalina, izoprenalina) që mund të shpërbëhen pas disa orësh. Gjithashtu është mirë që t'i kushtojmë kujdes enës që do të zgjedhim për të përdorur: enët në polivinil kloruri ulin përqendrimin e lidokainës (nëse ruhet në frigorifer) nëpërmjet absorbimit në sipërfaqe.

Efikasiteti i përdorimit të lidokainës për të trajtuar zonat e dhimbjes në zgavrën orale, është konfirmuar në sajë të aplikimit të një xheli me 2% dhe vlerësimit të dhimbjes në të njëjtën zonë deri në 30 minuta pas aplikimit. Siç pritej, dhimbja është zvogëluar në mënyrë të ndjeshme pas aplikimit të lidokainës.
Aspekt interesant është fakti që në këtë artikull janë studiuar fëmijë me moshë 20 muajsh deri në 8 vjeç dhe aplikimi i xhelit nuk ka shfaqur efekte anësore të veçanta.

Ja disa përgatitje që mund të kenë përdorur autorët e këtij studimi:

Lidokaina viskoze
Materialet: Peshore, 1 beker, shufra qelqi
Substanca: Lidokainë klorhidrat 0,5g
Karboksimetilcelulozë sodiumi 0,75g
Ujë i distiluar aq sa duhet për 100 g (98.75g)
Hidhet në beker uji dhe tretet lidokaina HCL e peshuar paraprakisht. Shtohet karboksimetilceluloza e sodiumit dhe trazohet deri në tretje. Më pas lihet të pushojë e gjitha për rreth 24 orë, për të lejuar hidratimin e xhelifikuesit. Ritrazohet ngadalë deri në homogjenitet dhe më pas çohet në peshën e dëshiruar, duke i shtuar ujë.
Edhe pse kjo përgatitje është pa konservues, periudha e vlefshmërisë nuk është më shumë se 15 ditë.

Lidokaina xhel gingivar
Materialet: Peshore, 2 beker, shufër qelqi
Substanca
Lidokaina klorhidrat 2g
Benzalkon klorur 0.1g
Hidroksietilceluloza 3g
Ujë i distiluar aq sa duhet për 100 g (94.9g)

Në bekerin "A", hidhni hidroksietilcelulozën në formë shiu në rreth 10 g ujë të distiluar. Në bekerin "B", përdorni 84.9 g ujë për të tretur lidokainën klorhidrat dhe benzalkonin klorur (duke pasur kujdes titrimin e solucionit fillestar, normalisht në 50%). Hidhni B në A, duke e trazuar lehtësisht për të shmangur inkorporimin e ajrit, kontrolloni peshën dhe kalojeni në enën finale.
Duke qenë i pranishëm konservuesi, në këtë rast mund të zgjatet periudha e vlefshmërisë sipas udhëzimeve të farmakopeas.

Lidokaina solucion oral viskoz
Materialet: Peshore, 3 beker, shufër qelqi
a) Ujë i distiluar 70 g
Nipagina 0.07 g
Nipazol 0.03 g
Karboksimetilceluloza 2.5g
b) Lidokaina HCL 2 g
Ujë i distiluar 10 g
c) Vanilina 0.01 g
Etanol 0.25g
Ujë i distiluar 15.05 g
1. Tretni parabenët në ujin që vlon dhe pas ftohjes shtoni karboksimetilcelulozën duke e përzier me kujdes.
2. Tretni lidokainën në ujë të distiluar.
3. Tretni vanilinën në alkool dhe ujë.

Në bekerin A, përzieni solucionin B dhe më pas shtoni C me përzierje konstante. Më pas arrini peshën me ujë të distiluar dhe hidheni në enën finale. Në të gjitha këto formulime përqendrimi i lidokainës mund të rritet (në një maksimum prej 4%) sipas udhëzimeve të mjekut. Duhet t'i kujtoni pacientit që të aplikojë rreth 1 cm të preparatit në zonën me dhimbje dhe të presë 15 deri në 20 minuta para se të konsumojë ushqim ose ujë. Duke folur për udhëzimet e mjekut, kujtojmë se lidokaina është e pranishme në tabelën III të farmakopeas italiane. Receta nuk mund të përdoret 2 herë dhe kërkon, përveç emrit dhe mbiemrit të pacientit edhe që mjeku të raportojë në të gjitha letrat dozimin e lidokainës.


 

Luca Guizon
Farmacist ekspert në fitoterapi

Burimi:
Int J Pediatr.2015;2015:141767. doi: 10.1155/2015/141767.Epub 2015 Nov 29.
Medicamenta
Manuale delle preparazioni galeniche, Bettiol

 


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC