Farmaci

qer302022

Statinat reduktojnë përparimin e ngurtësimit arterial te pacientët me rrezik të lartë aterosklerotik

Sipas një studimi të botuar në JAMA Network Open, marrja e statinave lidhet me përparim më të ngadaltë të ngurtësimit arterial te të rriturit me rrezik të lartë aterosklerotik.

"Studimet kanë vlerësuar lidhjen midis përdorimit të statinave dhe progresionit të ngurtësimit arterial, një element kyç në patofiziologjinë e sëmundjeve kardiovaskulare. Ne jemi përpjekur ta shqyrtojmë këtë lidhje te të rriturit kinezë me rrezik të lartë aterosklerotik, matur nga shpejtësia e valës sfigmike krah-kyç (baPWV)", thotë autori kryesor i studimit Yan-Feng Zhou (Universiteti i Shkencës dhe Teknologjisë Huazhong, Vuhan, Kinë). Studiuesit regjistruan 5,105 të rritur me rrezik të lartë aterosklerotik të trajtuar në Spitalin e Përgjithshëm Kailuan nga viti 2010 deri në vitin 2020.

Informacioni në lidhje me përdorimin e statinave u mor nga të dhënat elektronike të shëndetit për periudhën 2010-2020 dhe përdorues u konsideruan të gjithë ata të cilëve u ishin dhënë barna të tilla të paktën gjashtë muaj përpara matjeve të baPWV. Progresioni i baPWV u vlerësua duke përdorur diferencën absolute midis baPWV në fillim dhe në vijim, pjesëtuar me kohën e ndjekjes në vite. Modelet e regresionit linear multivariat u përdorën për të vlerësuar lidhjen midis përdorimit të statinës dhe ngurtësisë arteriale. Nga 5,105 të rriturit me vlerësim baPWV, 1,310 përdorues të statinave u përputhën me 1,310 jopërdorues.

Krahasuar me mospërdorimin e statinave, përdorimi i këtyre barnave u shoqërua me një baPWV dukshëm më të ulët në fillim. Për më tepër, midis 1,502 të rriturve me vlerësim të përsëritur baPWV, 410 përdorues të statinës u krahasuan me 410 jopërdorues dhe ekspertët vunë re se, krahasuar me jopërdoruesit, përdoruesit kishin përparim dukshëm më të ngadaltë të baPWV gjatë një periudhe pasuese 4.8 vjet. Autorët theksojnë se progresion dukshëm më i ngadalshëm i baPWV u vu re te përdoruesit e vazhdueshëm të statinave dhe përdoruesit me aderencë të lartë, por jo tek ata që e kanë ndërprerë marrjen e statinave dhe tek ata me aderencë të ulët, krahasuar me jo-përdoruesit.

 

JAMA Network Open 2022. Doi: 10.1001/jamanetworkopen.2022.18323
http://doi.org/10.1001/jamanetworkopen.2022.18323


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC