Farmaci

mar312021

Riniti alergjik, infektiv apo vazomotor. Këshilla e farmacistit për trajtimin

Rinitet, një inflamacion i mukozës së hundës, janë ndër problemet që prekin më shpesh traktin e sipërm respirator. Klasifikimi i rinitit fillon nga shqyrtimi i shkaqeve: alergjik, infektiv viral, rinosinusit bakterial, rinit medikamentoz (jatrogjen), rinit vazomotor. Ekzistojnë edhe forma të përziera.

 

- Riniti alergjik shkaktohet nga inflamacioni i ndërmjetësuar nga IgE-të pas kontaktit të mukozës së hundës me alergjenin. Ndër alergjenët më të zakonshëm janë: pluhuri, epiteli i kafshëve, kërpudhat, myqet ose majat, alergjenët profesionalë (p.sh. mielli, pluhuri i drurit...). Kjo formë mund të jetë me ndërprerje ose e vazhdueshme, e lehtë ose e moderuar, deri në të rëndë.

- Riniti viral është shumë i zakonshëm dhe shkaktohet nga disa agjentë viralë: më të zakonshmit janë rinovirusi (30-50% të rasteve), coronavirusi dhe adenovirusi. Transmetimi bëhet kryesisht nga ajri.

- Rinosinusiti bakterial është një ndërlikim i rinitit viral dhe bakteret si Streptococcus dhe Haemophilus, shkaktojnë një superinfektim.

- Riniti medikamentoz shfaqet zakonisht pa rinorre, rrufë, ose starmit dhe zhvillohet me përdorimin e shpeshtë dhe të zgjatur të barnave vazokonstriktore lokale.

Ende nuk është e qartë se si zhvillohet riniti vazomotor, simptomat e të cilit shkaktohen ose përkeqësohen nga aromat e veçanta (parfumet, tymi i duhanit).

 

Simptomat, të cilave u duhet kushtuar vëmendje

Riniti alergjik ka simptoma të tilla si teshtitja, kruajtja, hunda e zënë, rinorrea. Shumë shpesh ky lloj riniti shoqërohet me probleme të syve (skuqje konjuktivale, përlotje), kruajtje në fyt dhe ndjenjë peshe në mollëza dhe në ballë, gjendje sëmundjeje dhe dobësi. Riniti viral ka simptoma të tilla si bllokimi i hundës e rinorrea dhe përfshirja e shpeshtë e zonave të tjera shkakton dhimbje fyti, teshtima, kollë dhe rrjedhje rino-nazale. Mund të shfaqen dhimbje koke dhe ethe. Forma akute me origjinë bakteriale mund të përfshijë: bllokim ose kongjestion nazal, rrufë, dhimbje në fytyrë, rënie ose humbje të nuhatjes, dhimbje koke. Në fazat fillestare, dhimbja është e lehtë, e lokalizuar dhe zakonisht e njëanshme, por nëse problemi nuk zgjidhet shpejt, dhimbja bëhet bilaterale. Riniti medikamentoz zakonisht nuk ka rrjedhje hundësh, rinorre dhe teshtima, por bllokim të hundës. Forma vazomotorike ka simptoma të ngjashme me rinitin alergjik.

 

Këshilla e farmacistit për trajtimin

Trajtimet kryesore në dispozicion të farmacistit janë: antihistaminikët, dekongjestivët, solucionet saline. Ekzistojnë gjenerata të ndryshme antihistaminikësh. Gjenerata e parë përdoret në formulime të përbëra me antiinflamatorë dhe dekongjestivë, për trajtimin e ftohjeve dhe simptomave të para-gripit. Këto përbërje kanë efekte anësore antimuskarinike dhe mund të shkaktojnë sedatim, marrje mendsh, asteni. Antihistaminikët e gjeneratës së dytë dhe të tretë kanë më pak efekte anësore. Disa molekula (cetirizina, loratadina, fexofenadina...) mund të shpërndahen sipas këshillës së farmacistit dhe janë të disponueshme në formulime orale dhe nazale lokale.
Janë të shumta barnat OTC që i përkasin klasës së dekongjestivëve që veprojnë në nivelin e receptorëve adrenergjikë. Veprimi vazokonstriktor në nivelin e mukozës së hundës çon në zvogëlimin e vëllimit të vetë mukozës. Ndër dekongjestivët për përdorim oral gjejmë pseudoefedrinën dhe fenilefrinën. Ephedrine, oximetazoline, tramazoline dhe naphazoline janë disa nga molekulat e përdorura në produktet tregtare, që kanë një aktivitet dekongjestiv nazal. Solucionet saline janë gjithashtu me interes të konsiderueshëm për menaxhimin e kongjestionit nazal. Ato mund të ndahen, sipas osmolaritetit të tyre, në izotonike ose hipertonike. Aktiviteti i tyre përfshin disa mekanizma. Përmirësimi i pastrimit të mukusit, rritja e aktivitetit ciliar dhe veprimi ndaj inflamacionit janë disa nga mekanizmat përmes të cilëve këto tretësira përmirësojnë simptomat e rinitit. Përdorimi lokal shoqërohet me një profil të shkëlqyer sigurie.

 

Alessandra Margreth

(Shkëputur nga "Inquadramento clinico e gestione dei disturbi minori in farmacia", nën kujdesin e Corrado Giua Marassi, Botimet Edra)


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC