Farmaci

gus132020

Dermatiti irritues nga pelenat, një nga problemet më të zakonshme të lëkurës te foshnjat

Dermatiti irritues nga pelenat (DIP) është një inflamacion i kufizuar në zonën e pelenës. Ai është një nga problemet më të zakonshme të lëkurës te foshnjat dhe prej tij preken të dyja gjinitë. Mosha më e prekur është 9-12 muaj. Faktorët e rrezikut për zhvillimin e DIP janë: diarreja kronike, jashtëqitja e lëngshme ose acide, faktorë dietikë dhe përdorimi i antibiotikëve me spektër të gjerë. Okluzioni i shkaktuar nga pelena është i rëndësishëm. Hamendësohet se çrregullimi ndodh për shkak të fërkimit të lëkurës me pelenën, hidratimit të tepërt, kontaktit të zgjatur të lëkurës me urinën dhe feçet. Të gjithë këta faktorë kontribuojnë në dëmtimin e funksionit të barrierës së lëkurës. Episodet kanë një kohëzgjatje mesatare prej 2-3 ditësh. Nëse episodi zgjat më shumë se 3 ditë me gjithë trajtimin e duhur, mund të dyshohet për një manifestim të mbivendosur të Candida albicans. Kjo kërpudhë është patogjeni më i zakonshëm i përfshirë në shkaktarët e DIP-it të komplikuar nga infeksioni dhe ka tendencë të shkaktojë DIP të përsëritura.

 

Simtomat. Ja, si mund t'i dalloni

Rastet e DIP-it të butë (që janë më të shumtat) karakterizohen nga papula eritematoze ose zona me eritema të kufizuara me lezione minimale të macerimit ose fërkimit. Në format e moderuara, eritema është shumë më e gjerë, me zona të macerimit dhe erozione sipërfaqësore; mund të jenë të pranishme sikleti ose dhimbjet. Në forma të rënda, eritema është e gjerë, lëkura është me shkëlqim dhe ka erozione të dhimbshme, papula dhe noduj. Nëse nëna raporton që lezionet ndikojnë në palosjet inguinale dhe se ka vezikula (pustula të flashkëta jashtë lezionit kryesor), ka shumë të ngjarë të jeni përballë një DIP-i të mbingarkuar me C.albicans. Prindërit gjithashtu duhet të pyeten nëse fëmija ka simptoma ose shenja të tjera (diarre, ethe, të qara të zgjatura, humbje të oreksit...), nëse ka vuajtur së fundmi nga kandida orale, nëse ka qenë i ekspozuar ndaj sëmundjeve ngjitëse, nëse ka vuajtur nga dermatiti atopik.

 

Këshillat e farmacistit për trajtimin

Rekomandojini prindërit që të ndjekin rregullat e sakta të higjienës: për shembull, të ndërrojnë shpesh pelenën, të mos e shtrëngojnë shumë, ta pastrojnë zonën butësisht, më mirë me ujë të rrjedhshëm të vakët. Pecetat e gatshme duhet të përdoren vetëm jashtë shtëpisë. Le të qëndrojë fëmija pa pelenë për aq kohë sa të jetë e mundur. Gjatë çdo ndërrimi të pelenës, duhet të aplikojnë një përgatitje që vepron si pengesë fizike; produkti duhet të jetë në gjendje të hiqet lehtë, pa e fërkuar lëkurën. Në rast të jashtëqitjeve të lëngshme, të përdoret një pastë me oksid të zinkut. Nëse DIP-i zgjat më shumë se 72 orë ose shfaqen shenja që sugjerojnë një infeksion të mbivendosur nga kërpudhat, filloni terapinë lokale me krem antifungal (mikotrazol). Zgjidhjet e mundshme natyrale duhet të jenë bimët që kanë veprim barrierë, hidratues, zbutës, shërues dhe antibakterial. Ndër produktet më të përshtatshme gjejmë Aloe, Altea, Calendula, të pasura me polisakaride me veprim qetësues.


Alessandra Margreth


Burimet:
"Inquadramento clinico e gestione dei disturbi minori in farmacia", Corrado Giua Marassi. Botimet Edra


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC