jan312020
Vaksina antikolesterol. Në Britaninë e Madhe nis testimi i gjerë. Ja, rezultatet e para
Një "vaksinë" kundër hiperkolesterolemisë, një nga faktorët kryesorë të rrezikut kardiovaskular dhe shkak i një rritjeje prej 20% të iktusit apo infarktit. Britania do të jetë e para që do ta provojë atë në shkallë të gjerë, falë një marrëveshjeje të arritur mes qeverisë britanike dhe prodhuesit të barit eksperimental. Po, sepse flitet për një medikament shumë novator dhe nuk është antigjen, që stimulon një reagim imunitar.
Shprehja vaksinë është përdorur me sa duket për të lehtësuar komunikimin me publikun e gjerë, për prezantimin e një pajisjeje, synimi i së cilës është mbrojtja kundër një sëmundjeje (sigurisht, jo me origjinë infektive). Molekula në fjalë është inclisirani, një ARN e vogël ndërhyrëse që pengon përkthimin e gjenit proteinik Pcsk9, efektet e dëmshme të të cili dihet se rrisin kolesterolin sierik LDL. Kundër kësaj proteine janë zhvilluar tashmë dy antitrupa (që i përkasin saktësisht klasës së inhibitorit Pcsk9), që indikohen si trajtim i linjës së dytë i cili iu shtohet statinave, në rast të mosarritjes së objektivave të trajtimit. Proteina Pcsk9, theksohet, kundërvepron me veprimin hepatik të përthithjes së kolesterolit LDL nga gjaku.
Sistemi Shëndetësor Kombëtar (NHS) do të koordinojë një testim të barit (që ende nuk është aprovuar) në 40 mijë subjekte dhe, nëse do të jetë i suksesshëm, do ta zgjerojë përhapjen në qindra mijëra njerëz. Terapia më e përdorur për trajtimin e niveleve të larta të kolesterolit-LDL ka përfshirë me vite përdorimin e statinave (frenuesit e reduktazës HmgCoA, një enzimë e përfshirë në sintezën e kolesterolit), që, sipas studimeve të ndryshme, nuk janë gjithmonë efektive, qoftë për shkak të papërgjegjshmërisë së pacientit, qoftë për respektim të dobët të përshkrimit, apo ndërprerje të marrjes, për shkak të efekteve të mundshme anësore (kryesisht në nivelin e indeve muskulore skeletore). Trajtimi që do të testohet në Mbretërinë e Bashkuar, bazohet në dy injeksione në vit (dhe kjo gjithashtu lehtëson pjesërisht ngjashmërinë me vaksinën dhe referencat e saj) dhe, sipas rezultateve të para (që janë bërë të njohura edhe në Kongresin e fundit Europian të Kardiologjisë, në Mynih) lejon që të fitohet përgjysmimi i vlerave të kolesterolit-LDL sierik në disa javë, madje edhe në pacientët që nuk përgjigjen ndaj statinave.
Faza e parë e testit do të jetë e kufizuar në Angli dhe do të përfshihen pacientë pa event të mëparshëm kardiovaskular të rëndë, por që konsiderohen në rrezik të lartë. Nëse rezultati do të jetë pozitiv, siç përmendet më lart, përdorimi do të zgjerohet, duke arritur në përfshirjen e të paktën 300 mijë vetëve.
"Ky bashkëpunim", tha ministri britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock në një deklaratë, "ka potencialin për të shpëtuar 30,000 jetë në dhjetë vitet e ardhshme." Marrëveshja parashikon gjithashtu krijimin e një konsorciumi midis kompanisë dhe Universitetit të Oksfordit për të përmirësuar efikasitetin e prodhimit të barit. Objektivi i operacionit, të cilit mediat britanike dhe ndërkombëtare i kanë dhënë një rëndësi të madhe, duket se nuk është vetëm ai i shpëtimit të jetës, por edhe rilançimi i imazhit të Britanisë së Madhe në fushën e eksperimenteve farmaceutike, duke pasur parasysh fazën aktuale delikate të Brexit-it. Në fakt, në të njëjtën deklaratë për shtyp thuhet se "marrëveshja nënvizon rolin e Britanisë së Madhe si destinacioni i parë i pacientëve për barna të reja dhe me një raport më të mirë kosto/efektivitet". Eksperimenti, përfundon shënimi, mund të shtrihet edhe në barna të tjera.
A. Z.