Farmaci

maj282019

Mbidoza nga opioidet. FDA-ja miraton sprajin e parë nazal Naxolone klorhidrat

tags: FDA, OPIOIDET

Është miratuar spraji i parë nazal gjenerik me Naxolone klorhidrat, një bar që shpëton jetën, i përdorur për të frenuar efektet e mbidozës nga opioidet. Këtë e ka komunikuar Administrata Amerikane e Ushqimit dhe e Barnave nëpërmjet një njoftimi zyrtar, në të cilin enti pohon se ka pasur si qëllim t'iu japë prioritet aplikimeve të tjera për barna gjenerike të destinuara për trajtimin e mbidozës nga opioidet, në mënyrë që të lehtësojë krijimin e produkteve me bazë Naxolonen, që shiten pa recetë dhe për të kufizuar përhapjen e fenomenit.

Bëhet fjalë për miratimin e parë të një spraji gjenerik të destinuar për përdorim personal, pa qenë nevoja për formim mjekësor, "një hap i rëndësishëm në zgjerimin e aksesit ndaj barnave të shpëtimit të jetës", thuhet në shënim. Spraji nazal është i gatshëm për përdorim dhe shpërndahet me doza të paracaktuara të barit, përdoret tek adultët dhe fëmijët fare thjesht. Teva Pharmaceuticals, që ka marrë aprovimin përfundimtar, do të mbajë të drejtat mbi këtë bar.

"Në kuadër të krizës së opioideve", shpjegon Douglas Throckmorton, M.D. dhe zëvendës drejtor për programet rregullatore në Qendrën për Vlerësimin dhe Kërkimin e Barnave në FDA, "janë në zhvillim përpjekje të shumta për ta bërë këtë trajtim emergjence lehtësisht të disponueshëm dhe të aksesueshëm". Throckmorton-i shton gjithashtu se enti "po eksploron metoda të tjera për të shtuar disponueshmërinë e produkteve me bazë naloxonen, të përcaktuara për komunitetin. Të gjitha këto përpjekje mund të përbëjnë një instrument vital për të luftuar mbidozimin nga opioidet në duart e atyre që kanë më shumë nevojë, të miqve dhe familjarëve konsumatorëve të opioideve, ashtu si edhe të atyre që ofrojnë ndihmën e parë dhe për organizmat e bazuara në komunitet."

Në optikën e një aksesimi më të madh ishin miratuar më parë barna gjenerike të injektueshme, një spraj nazal dhe një autoinjektues, me qëllim kufizimin e këtij fenomeni në zgjerim konstant. Sipas të dhënave të ofruara nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, nga viti 1999 deri në 2017-ën ka pasur 400.000 vdekje nga mbidoza e opioideve. Mbi 130 qytetarë amerikanë humbasin jetën çdo ditë në ngjarje që përfshijnë barna si fentanil, oksikodon, hidrokodon dhe morfinë, barna që jepen me recetë, si edhe drogëra ilegale si heroina, që shpesh përmban fentanil ose derivate të tij. Mbidoza nga opioidet shpesh shkakton frymëmarrje të kufizuar ose të munguar, një gjendje që çon në vdekje pa ndërhyrjen mjekësore dhe që sot është e rikthyeshme, falë administrimit në kohë të Naxolones. FDA-ja kujton megjithatë se bari është indikuar për kurat e menjëhershme dhe se subjekti i administrimit duhet të bëjë saktësime të mëtejshme dhe më të thelluara mjekësore.


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC