pri112018
Novartisi forcon portofolin e produkteve. Blen kompaninë amerikane AveXis për 8.7 miliardë dollarë
Novartisi ka blerë amerikanen AveXis për 8.7 miliardë dollarë dhe ky është hapi i parë i madh i drejtorit të ri të kompanisë, Vasant Narasimhan, i angazhuar në forcimin e portofolit të produkteve të grupit.
Novartisi do të paguajë 218 dollarë për çdo aksion të AveXis-it, me një çmim prej 88%, krahasuar me mbylljen e së premtes. Ky është një çmim më i lartë nga ç'pritej, por sipas analistëve, është i kuptueshëm, duke marrë parasysh medikamentet me të cilat po punon AveXis-i dhe konkurrencën në rritje për të krijuar terapi novatore për sëmundjet e rralla. Shoqëria amerikane, në fakt, po zhvillon një terapi të re gjenetike për atrofinë muskulare spinale e cila sipas parashikimeve, pritet të ketë sukses të madh. Narasimhani vlerëson se terapia mund të ketë shitje potenciale prej miliarda dollarësh. Blerja tregon edhe interesin në rritje të Novartisit për terapinë e gjeneve, një lloj trajtimi që kolosi e ka përdorur tashmë në luftën kundër kancerit.
Me AveXis-in "do të arrijmë të hyjmë në një platformë tjetër të terapive gjenetike, e cila i shtohet asaj CAR-T për kancerin, për të inkurajuar përhapjen e terapive gjenetike në fusha të ndryshme", thotë Narasimhani. Novartis ka nisur vitin e kaluar një terapi novatore për trajtimin e kancerit, e njohur si CAR-T, e cila përfshin nxjerrjen e qelizave të gjakut nga pacienti, modifikimin e tyre për t'i bërë t'i sulmojnë më shumë qelizat e kancerit dhe më tej, rifutjen e tyre te pacienti.
Novartisi mund t'i bëjë ballë çmimit të kripur në saje të fondeve të disponueshme pas shitjes në Glaxo, për 13 miliardë, të aksioneve në sipërmarrjen e përbashkët për vetëmjekim dhe barnat e banakut. Kjo shitje i ofron Novartisit fleksibilitet më të madh financiar për të diversifikuar dhe zgjeruar linjën e prodhimit.
Blerja duhet të finalizohet deri në fund të vitit dhe duhet të përkthehet në rezultate pozitive duke nisur nga viti 2020. Marrëveshja mund të ketë një peshë të arsyeshme në fitimin operativ të viteve 2018 dhe 2019, për shkak të investimeve të rëndësishme në kërkim dhe zhvillim. Nga viti 2020, megjithatë, pritet një përmirësim i madh drejt fitimit operativ dhe fitimeve për aksion, falë shitjeve të mëdha të pritshme.